Profesori amerikan dhe eksperti i njohur për Ballkanin, Daniel Serwer, ka shkruar një analizë të gjerë në platformën e tij peacefare.net lidhur me Gjykatën Speciale për Kosovën dhe takimin e tij me ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë.
Serwer, i cili ka qenë për dekada një nga njohësit më të afërt të zhvillimeve në Kosovë, thotë se ka kaluar 40 minuta me Thaçin në qendrën ndërkombëtare të paraburgimit në Holandë, për të “rinovuar një miqësi të vjetër” dhe për të kuptuar më mirë realitetin prapa Gjykatës Speciale.
“Hashimi dhe unë kemi pasur mosmarrëveshje pak para se ai të shkonte vullnetarisht në Hagë. E kam vizituar për të biseduar me të dhe për të kuptuar më thellë rolin e kësaj gjykate,” shkruan Serwer, duke theksuar se përmbajtja e bisedës mbetet private.
“Një mashtrim ndaj Kosovës”
Në analizën e tij, Serwer shprehet i zhgënjyer me mënyrën si po funksionon Gjykata Speciale.
Ai thotë se Kosova dhe ai vetë ishin mashtruar, pasi në fillim ishte premtuar se fokusi i saj do të ishte hetimi i akuzave për trafik organesh, por më vonë u shndërrua në një gjykatë që po ndjek ish-udhëheqësit e UÇK-së për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
“Parlamenti i Kosovës dhe unë besonim se fokusi do të ishin akuzat për trafik organesh. Në vend të kësaj, Gjykata u shndërrua në një proces që po kriminalizon luftën për liri.

Ushtria e Zvicrës dekoron tre shqiptarë: Shpëtuan jetën e një gruaje
Tribunalet duhet të japin drejtësi, jo ndëshkim të bazuar në mashtrim,” – shkruan Serwer.
“Akuza që kriminalizojnë luftën”
Sipas profesorit amerikan, akuza për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” ndaj të gjithë komandantëve politikë e ushtarakë të UÇK-së “duket si përpjekje për ta kriminalizuar revoltën ndaj shtypjes serbe.”
“UÇK-ja ishte ilegale sipas ligjit serb – ashtu si revolucioni amerikan ishte ilegal sipas ligjit britanik. Por SHBA dhe NATO e mbështetën sepse e konsideruan kauzën e drejtë. Tani po ndëshkohet ajo që dikur u mbështet,” thekson ai.
Kritika ndaj vonesës së procesit
Serwer ka dënuar ashpër kohëzgjatjen e paraburgimit të Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij, të cilët janë mbajtur pesë vite në burg pa një vendim përfundimtar.
“Si mund të justifikohet mbajtja e dikujt pesë vjet në burg para se të dihet nëse është fajtor? Ata shkuan në Hagë me vullnetin e tyre. Duhej të ishin gjykuar në liri,” ka shkruar ai.
“Një drejtësi e njëanshme”
Profesori amerikan kritikon gjithashtu faktin që Gjykata nuk ka juridiksion mbi krimet serbe, përfshirë vrasjen e vëllezërve Bytyqi dhe shumë raste të tjera në Serbi.
“Nëse diplomatët do të kishin kërkuar që Gjykata të hetonte edhe krimet serbe, ose nuk do të kishim fare një tribunal, ose do të kishim një që respektohej në Kosovë,” shkruan Serwer, duke shtuar se mban përgjegjësi personale që nuk e ka ngritur këtë çështje më herët.
Në përfundim, Serwer nënvizon se nuk e di nëse Thaçi dhe të tjerët janë fajtorë apo të pafajshëm, por shpreson që vendimi i Gjykatës të mos ndikohet nga pritjet politike të Evropës për dënime, “pas qindra milionave euro të investuara në këtë proces.”