KQZ: Prishtina ende në proces, rezultatet nga diaspora pritet të publikohen sot

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), të cilat nisën një ditë pas zgjedhjeve lokale, po përfundojnë. Ndërkaq, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është në vijim dita e dytë e numërimit të votave nga votimi jashtë Kosovës.

Sipas KQZ‑së, deri në orën 10:00 të së shtunës (18 tetor), aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 34 komuna, ndër të cilat: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Ranillug, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj, Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas, Vushtrri, Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë e Jugut, Podujevë, Pejë, Kllokot dhe Leposaviq.

Komunat që ende nuk e kanë përmbyllur verifikimin e rezultateve për Kryetarët dhe Kuvendet Komunale janë: Prishtina, Prizreni, Gjilani dhe Malisheva.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka bërë të ditur për Reporteri.net se gjatë ditës, ky institucion do t’i publikojë edhe rezultatet nga numërimi i votave nga jashtë, i cili pritet të zgjasë deri ditën e hënë.

Ai ka thënë  se sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 10:00 të së shtunës, janë verifikuar rezultatet për 2,463 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 2,446 vendvotime.

“Nga po kaq vendvotime, 2,446, janë numëruar votat e kandidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Pra, deri më tani, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 4,909”, u shpreh Elezi.

Ai ka thënë se është duke vazhduar procesi i numërimit të votave që i takojnë votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025.

Sipas tij, gjatë ditës së parë janë numëruar 14 kuti në të cilat janë të vendosura pakot me fletëvotime të supozuara nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe 9 kuti të tjera nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. 

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…