Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për tentim vrasjen në Pejë, pasditen e së premtes.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 16:15.
I dyshuari thuhet se ka qëlluar me armë automatike drejt një makine ku ndodheshin katër persona, duke i lënë të plagosur dy prej tyre.
Nga i dyshuari janë konfiskuar katër armë zjarri si: dy pushkë automatike AK-47 me nga 18 dhe 15 copë fishekë, dy pistoleta njëra me 5 copë fishek dhe 75 copë fishekë tjerë të armës automatike.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se me armë automatike kishte shtënë në drejtim të veturës me targa vendore në të cilën kanë qenë katër persona meshkuj kosovarë. Si pasojë e të shtënave janë plagosur dy persona në veturë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore dhe janë duke e hetuar rastin. Nga i dyshuari janë konfiskuar katër armë zjarri si: dy pushkë automatike AK-47 me nga 18 dhe 15 copë fishekë, dy pistoleta njëra me 5 copë fishek dhe 75 copë fishekë tjerë të armës automatike. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
I arrestuari nga Policia, F.H., po dyshohet se për hakmarrje i ka plagosur dy persona pasi Gjykata Themelore në Pejë shqiptoi 44 vite burgim për pesë të akuzuarit për vrasjen që kishte ndodhur më 2022, ku i vdekur kishte mbetur vëllai i tij.