Venezuela dislokon trupa, raportohet për sulm të ri të ShBA’së

Venezuela ka dislokuar mijëra trupa afër kufirit kolumbian në përgjigje të grumbullimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Karaibe, ku mediat amerikane kanë raportuar për një sulm të ri ndaj një anijeje që dyshohet se po transportonte drogë.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar disa anije ushtarake në Detin e Karaibeve dhe javët e fundit ka kryer një sërë sulmesh vdekjeprurëse ndaj anijeve.

Të paktën 27 persona janë vrarë deri më tani si pasojë e sulmeve amerikane, teksa grumbullimi ushtarak ka rritur frikën në Karakas se qëllimi përfundimtar është ndryshimi i Qeverisë në Venezuelë.

Venezuela ka nisur stërvitje ushtarake, përfshirë edhe dislokimin e 17 mijë trupave në shtetin Tarika, që gjendet në kufi me Kolumbinë, sipas komandantit Michell Valladares.

Përderisa presidenti amerikan, Donald Trump, po shqyrton nëse do të zgjerojë veprimin ushtarak të SHBA-së nga deti në tokë, admirali që ka mbikëqyrur sulmet detare ka njoftuar për dorëheqjen e tij.

Disa persona që gjendeshin në bordin e anijes të sulmuar të enjten shpëtuan, sipas mediave amerikane, përfshirë CBS, CNN dhe NBC, të cilët cituan zyrtarë të paidentifikuar amerikanë.

Pentagoni nuk ka dhënë informacione se sa është numri i të mbijetuarve.

Të mërkurën, Trump tha se ka autorizuar Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) për të kryer operacione të fshehta në Venezuelë, duke shtuar se po shqyrton edhe veprime të mëtejme ndaj karteleve të dyshuara të drogës.

“Tani po shqyrtojmë mundësinë për operacione tokësore, sepse detin e kemi nën kontroll”, tha Trump për gazetarët në Zyrën Ovale.

Një ditë më pas, admirali Alvin Holsey njoftoi se do të largohej nga posti i udhëheqësit të forcave amerikane që operojnë në Amerikën Qendrore dhe Jugore.

Kreu i Komandës Jugore amerikane nuk dha arsye për dorëheqjen e tij vetëm një vit pasi mori këtë detyrë.

Udhëheqësi i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka dënuar çdo përpjekje të Uashingtonit për “ndryshim të regjimit” dhe ka kritikuar “grusht shtetet e orkestruara nga CIA”.

Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, po ashtu ka mohuar një raportim se ajo kishte negociuar me SHBA-në për të rrëzuar Maduron.

Nën udhëheqjen e Maduros, ushtria venezuelase këtë javë zhvilloi stërvitjet më të mëdha ushtarake, pas një sulmi tjetër nga SHBA-ja.

Ushtria e Venezuelës ka dislokuar trupa në Tarika, ku tre ura kryesore e lidhin këtë shtet me Kolumbinë. Po ashtu, ushtria është stacionuar në jug, ku gjendet kufiri me Kolumbinë dhe Brazilin, si dhe në disa lokacione tjera detare.

Trinidadi dhe Tobago, që gjendet pranë brigjeve të Venezuelës, po heton nëse dy persona të vrarë në sulmet detare amerikane ishin shtetas të tij, thanë zyrtarët më herët gjatë javës.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…