Shkencëtarët identifikojnë ‘çelësin’ imunitar për të ndihmuar trupin të luftojë kancerin

Studiuesit në Spitalin e Fëmijëve ‘Johns Hopkins’ në Maryland, SHBA, kanë zbuluar një mënyrë për të aktivizuar sistemin imunitar të trupit për të njohur dhe shkatërruar qelizat kancerogjene që më parë ishin të padukshme për të.

Studimi, i botuar në ‘Nature Immunology’, tregon se duke stimuluar dy rrugë kryesore imunitare, shkencëtarët arritën të shndërrojnë tumoret rezistente ndaj sistemit imunitar në tumore “të nxehta ndaj imunitetit”, të afta të sulmohen nga mbrojtjet natyrore të trupit.

Eksperimentet u kryen në modele minjsh të kancerit të gjirit, pankreasit dhe muskujve.

Qasja jo vetëm që shtypi rritjen e tumorit, por gjithashtu krijoi një kujtesë imunitare afatgjate, duke përmirësuar shkallën e mbijetesës dhe duke reduktuar mundësinë e përsëritjes.

“Duke ndërtuar infrastrukturën e duhur imune brenda tumoreve, ne mund të fuqizojmë mbrojtjen e vetë pacientit, si të qelizave T ashtu edhe të qelizave B, kundër rritjes së kancerit, rikthimit dhe metastazës”, citon raporti shkencëtarin e lartë dhe autorin kryesor të studimit, Masanobu Komatsu.

Shumë tumore konsiderohen “të ftohtë imunitar”, që do të thotë se atyre u mungon aktiviteti i qelizave imune i nevojshëm që trajtime të zakonshme si imunoterapia të funksionojnë.

Ekipi i spitalit ‘Johns Hopkins’ kërkoi ta ndryshojë këtë duke stimuluar mjedisin e tumorit me molekula imunoaktive.

Ata u përqendruan në forcimin e strukturave limfoide terciare (TLS), të cilat janë grumbuj qelizash imune që luajnë një rol kritik në organizimin e sulmeve imune.

TLS-ja zakonisht gjenden në tumoret imunoaktive dhe janë të lidhura me rezultate më të mira për pacientët.

Duke përdorur dy molekula imunoaktive, studiuesit rikrijuan kushte të ngjashme me ato që gjendet në tumoret imunoaktive.

Kjo çoi në një rritje të qelizave T vrasëse që sulmojnë kancerin, formimin e enëve të reja të gjakut që lejuan qelizat imune të hyjnë dhe prodhimin e antitrupave që synojnë qelizat tumorale.

Qelizat B brenda TLS-së u zhvilluan në qeliza plazme që prodhojnë antitrupa dhe qeliza kujtese që ndihmojnë sistemin imunitar të njohë dhe të luftojë kancerin nëse ai rikthehet.

Trajtimi gjithashtu rriti qelizat T ndihmëse dhe qelizat T të kujtesës, duke rritur imunitetin humoral dhe ai i ndërmjetësuar nga qelizat.

Sipas shkencëtarit Komatsu, rezultatet sugjerojnë se kombinimi i dy sinjaleve imunoaktive mund të rrisë efektivitetin e trajtimeve aktuale, duke përfshirë kimioterapinë dhe imunoterapitë, në llojë të ndryshme të kancerit.

Hulumtimi u financua nga Instituti Kombëtar i Kancerit (NIH), Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së dhe Departamenti i Shëndetësisë i Floridës.

  • Shkrime të ngjashme

    Nëse shihni personin në foto lajmëroni policinë

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për grabitje. Në njoftimin e lëshuar nga ana e Policisë, është shpërndarë edhe një foto e te dyshuarit. “Të nderuar, për çdo informatë që mund të…

    Shtëpia e Bardhë sfidon Grenlandën: Nga cila anë, o grenlandezë?

    Shtëpia e Bardhë publikoi së fundmi një grafik që ilustron Grenlandën para një zgjedhjeje strategjike: ndikimin amerikan ose atë ruso‑kinez. Postimi paraqet një person me flamurin e Grenlandës pranë një kryqëzimi rrugësh, ku një rrugë çon drejt Shtëpisë së Bardhë…