Një dëshmitar ka treguar për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Prizren, ku një burë theri me thikë bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur. Dëshmitari thotë ta kenë larë gjakun deri në katin e katërt ku kishte iku vajza.
Ai thotë se kjo familje kishin ardhur për të banuar aty rreth dhjetë ditë më parë.
“E kemi ni zhurmë, e kam pa gruan tu dalë tek dera. Ka thirrë “ndihmë, na mbyti çikën. E kemi thirrë policinë, kur kanë ardhë ata e kemi pa çikën një kat më lart duke bërtitë.
Janë banorë të ri, kanë ardhë qe dy javë.
“Pas e krye punën vet forenzika, e kam thirr pronarin e banesës. Ka ardhur pronari dhe së bashku me të, kemi filluar prej shkallëve, kemi dal e kemi larë gjakun deri në aktin e tretë, deri në të katërtin, se edhe një kat më lart ka shkuar fëmija, ka ik. Edhe dhoma e banesës ka qenë me gjak”, ka treguar dëshmitari.
Në njoftimin e Prokurorisë u bë e ditur se të dy viktimat janë në gjendje të rëndë dhe se po trajtohen në Spitalin Rajonal të Prizrenit, shkruan Reporteri.net.
Gruaja është gjetur në rrugë, e vajza në katin e fundit të ndërtesës.
“Patrulla policore iu është përgjigjur menjëherë thirrjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshortja e të pandehurit) e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë – thikë. Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore. Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë”, thuhet tutje në njoftim.
I dyshuari është arrestuar në hyrje të ndërtesës dhe është ndaluar për 48 orë.
“Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Vrasja e rëndë në tentativë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, thuhet në njoftim.

