Pas ndeshjes Serbi – Shqipëri, një tifoz serb sulmoi familjen shqiptare në Cyrih

Një familje shqiptare u sulmua në Zurich të Zvicrës të shtunën mbrëma, pas ndeshjes eliminatore për Botërorin 2026 të futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë. Shqipëria e fitoi ndeshjen në Leskovc me rezultatin 1:0.

Familja shqiptare, që kishte dalë të festonte në Zurich fitoren e Shqipërisë, u sulmua nga tifozë serbë, raporton “Blick”. 

Donika J. kishte udhëtuar me bashkëshortin e saj dhe vajzën 10-vjeçare për ta festuar fitoren e Shqipërisë dhe në veturën Mercedes kishte vendosur flamurin shqiptar.

Në Schwamendingen, pranë një bari, papritmas vetura hasi në një turmë, përfshirë tifozë të Serbisë.

“Papritmas, një i ri vrapoi drejt makinës sonë dhe na theu xhamin e përparmë me një objekt të fortë, ndoshta ishte zinxhir apo rrip. Copëzat e xhamit fluturuan në ulësen e pasme, ku ishte vajza jonë”, tregon Donika.

Ajo thotë se ishte e ulur në ulësen e pasagjerit dhe sulmuesi goditi xhamin e veturës në lartësinë e kokës.

Incidenti e goditi rëndë familjen.

“Shpërthimi ishte aq i fortë sa të gjithë u tronditëm”, tregon ajo, ndërsa fillon të qajë.

Shoku i sulmit është ende i thellë.

“Se kisha imagjinuar se diçka e tillë do të mund të ndodhte në Zvicër”, thotë ajo. “Ende s’mund ta mendoj se diçka aq e tmerrshme ndodhi”.

Ajo kishte lajmëruar menjëherë policinë. Policia e Zurichut tregoi se mori të paktën një raportim për një veturë të dëmtuar.

Pati disa raportime gjatë të shtunës mbrëma për trazira.

Nuk është hera e parë që policia u thirr në Ueberlandstrasse për shkak të një incidenti. Kishte pasur raportime për trazira në rrugë edhe gjatë ndeshjes së parë mes Shqipërisë dhe Serbisë në qershor, që përfundoi pa gola.

Edhe në Luzern të shtunën u raportua për provokime dhe dhunë fizike mes grupeve pas ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Tifozët festues të futbollit shkaktuan gjithashtu ndërprerje të konsiderueshme të trafikut në qytet.
Disa rrugë u mbyllën përkohësisht.

“U lëshuan gjithsej 50 gjoba dhe disa persona u ndëshkuan për shkelje të ndryshme të ligjit të trafikut”, njoftoi të hënën Policia e Luzernit. 

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…