• Tue. Oct 14th, 2025

“Një mur i gjallë mes shtyllave” – Aro Muric, siguria e Kosovës në rrugën drejt Kampionatit Botëror

Bykfvanews

Oct 14, 2025

Portieri i Kombëtares së Kosovës, Aro Muric, po kalon një formë të shkëlqyer dhe është shndërruar në një prej faktorëve kryesorë të rezultateve pozitive që kanë shoqëruar ekipin kombëtar në tre ndeshjet e fundit.

Në tri ndeshjet e fundit, 25-vjeçari ka qenë vendimtar, duke ruajtur portën e paprekur dhe duke kontribuar drejtpërdrejt në ecurinë pozitive të Dardanëve.

Kosova triumfoi 2-0 ndaj Suedisë në Prishtinë, ku Muric u dallua me pritjet e tij të sigurta dhe mori notën 7,7.

Në sfidën pasuese, barazimi 0-0 kundër Sllovenisë, portieri i Sassuolos ishte përsëri në qendër të vëmendjes me ndërhyrje vendimtare që i dhanë skuadrës një pikë të vlefshme, derisa ai mori notën 7,5.

Performanca e tij kulmoi në fitoren historike 1-0 në udhëtim ndaj Suedisë, ku Muric regjistroi disa super pritje që siguruan një nga sukseset më të mëdha të Kosovës në ndeshjet kualifikuese derisa në fund ishte portieri më i vlerësuar me notën 8,2.

Me qetësinë, refleksin dhe komunikimin e tij me mbrojtjen, ai ka krijuar stabilitet të plotë në prapavijë dhe është shndërruar në garanci të padiskutueshme për përzgjedhësin Franco Foda.

Falë formës së tij të lartë, Kosova ka fituar besim të ri në mbrojtje dhe vazhdon të ëndërrojë për një vend në Kampionatin Botëror 2026, shkruan KFVA.

Aro Muric po vërteton se është më shumë se një portier, ai është një mur i gjallë mes shtyllave, simbol i sigurisë dhe vendosmërisë së Dardanëve.

Shtatlarti nuk ka treguar formë të shkëlqyer vetëm me Kosovën, por edhe me Sassuolon në Serie A. Disa ditë para grumbullimit me Kosovën, Muric u vlerësua me notën 10 në paraqitjen ndaj Hellas Veronës, derisa nota të larta mori edhe ndaj Udineses (7,2), Interit (7,6) dhe Lazios (7,7).

Kosova është në rrugë të mirë për të siguruar të paktën ‘Play-Off’-in për Kampionatin Botërorë, derisa ka gjasa ende edhe për pozitën e parë.

Muric ka treguar klas në ndeshjet e fundit, pjekuri shumë më të madhe dhe me plot të drejtë ai është lideri i ri i Kosovës në prapavijë.

Fatkeqësisht Aro do t’i mungojë Dardanëve në ndeshjen e ardhshme ndaj Sllovenisë shkaku i kartonëve, por ai do të rikthehet në portë ndaj Zvicrës me një qëllim të qartë: ta mbajë portën e paprekur ndaj vendit ku u lind dhe u rrit dhe ta dërgojë Kosovën në Kampionatin Botërorë./

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *