Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka treguar se janë bërë të gjitha përgatitjet për ditën e zgjedhjeve.
Ai në një lidhje të drejtpërdrejtë në tv Dukagjini ka shpjeguar planin operativ.
“Plani operativ është përgatit shumë kohë më përpara, sepse ne punojmë me disa faza të planit, qysh prej fillimit të fushatës zgjedhore e deri te dita e zgjedhjeve dhe pastaj, siç është dita finale, po edhe menaxhimi i situatës pas shpalljes së rezultateve e deri te përfundimi i numërimit të votave në qendrën e numërimit të rezultateve nga KQZ-ja”, ka thënë Hoxha.
Ai ka shtuar se gjatë gjithë këtij procesi Policia e Kosovës ka qenë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Kosovës dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke siguruar koordinim të plotë për një ditë zgjedhore të qetë dhe të sigurt.
Ai tha se deri tash, nuk është raportuar ndonjë incident. Ndërkohë Hoxha thekson se numri i përgjithshëm i policisë së angazhuar për sot është deri në 6500 veta.
“Deri tash në Polici gjatë ditës së sotme nuk është raportu ndonjë incident. Në të gjitha qendrat e votimit jemi vendosë Policia e Kosovës në bashkëpunim me KQZ-në dhe presim që gjithçka të shkojë mbarë e mirë. Numri i përgjithshëm i policisë është dikund 6500 veta të angazhuar e po ashtu një numër i madh i automjeteve. Kemi hapë dhomat komanduese në nivel qendror të Policisë në nivel lokal, të gjithë eprorët janë në detyrë dhe operacioni ka filluar qysh nga ora 03:00 e mëngjesit dhe do të vazhdojë”- u shpreh ai.
Tutje, Hoxha ka thënë se bazuar në ngjarjet në të kaluarën, fokusin më të madh Policia do ta ketë veriun e Kosovës, mirëpo shtoi se nuk pret ndonjë incident madhor.
“Për shkak të kaluarës që e kemi pasë, veriu i Kosovës do të ketë fokusin më të madh, ndërsa disa komuna që ka një garë pak më të afërt, varësisht prej zhvillimeve, ne do të kemi policë të përqendruar në stacione policore dhe do të reagojnë sipas vlerësimeve apo zhvillimeve të ngjarjeve në terren. Nuk ka ndonjë pikë të nxehtë që kisha mundur ta them Policia shumë herët e ka identifiku, mirëpo varësisht nga zhvillimet që janë bërë, varësisht nga departamenti i inteligjencës do kemi zyrtarë në gatishmëri për të reaguar sipas nevojës. Nuk presim ndonjë incident madhor apo diçka të ngjashme”- ka thënë drejtori i Policisë.