• Sat. Oct 11th, 2025

Interesim i madh në Kosovë për vaksinën kundër gripit sezonal

Bykfvanews

Oct 11, 2025

Në Kosovë ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal që në ditët e para të këtij muaji, ndërkohë që interesimi i qytetarëve për të marrë këtë vaksinë po rezulton të jetë mjaft i lartë. Derisa procesi i imunizimit po vazhdon, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe rastin e parë me grip sezonal për këtë sezon, duke theksuar rëndësinë e vaksinimit për mbrojtjen e shëndetit publik.

Faik Hoti nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, duke bërë thirrje për pjesëmarrje më të madhe në vaksinim, konfirmoi se në IKSHPK tashmë është regjistruar rasti i parë me grip sezonal për këtë vit.

Hoti theksoi se vaksina do të ofrohet falas për grupet më të rrezikuara, përfshirë personat mbi 65 vjeç, ata me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët mbi 6 muaj dhe punëtorët shëndetësor.

“Ditë më parë në Kosovë ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal meqenëse vaksinat kundër gripit janë siguruar me kohë, janë rreth 86 mijë doza të cilat do të përdoren për vaksinimin e grupeve prioriatare me rrezik siç janë personat mbi moshën 65 vjet, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët nga mosha 6 muajshe e lartë, si dhe personat tjerë që kanë imunitet të kompromituar. Sivjet vaksinimi ka filluar me kohë dhe ne si institucione bëjmë thirrje qytetarëve që të drejtohen në qendrat e vaksinimit.. që ta marrim vaksinën meqë sivjet shihet që mund të kemi raste dhe ne si IKSHP vetëm se kemi regjistruar 1 rast të gripit sezonal”, shprehet ai.

Sipas Faik Hotit nga IKSHPK, mijëra qytetarë janë tashmë të vaksinuar kundër gripit sezonal, por ai nënvizon se është e domosdoshme që edhe personeli shëndetësor të përfshihet në procesin e imunizimit.

“Vaksinimi ka filluar në fillim të tetorit në javën e parë interesimi është jashtëzakonisht i mirë, ne shohim raportet nga qendrat e mjekësisë familjare ka një interesim të shtuar dhe ajo që është pozitive njerëzit në Kosovë e kanë kuptuar që kultura parandaluese apo parandalimi është mënyra më efektive për t’iu përgjigjur çdo sfide të shëndetit publik në rastin konkret gripit”, tha ai.

Hoti thotë se imunizimi kundër gripit sezonal është mënyra më efektive për të parandaluar komplikimet e gripit.

“Vaksina kundër gripit sezonal realisht është mbrojtja më e mirë ka efekte parandaluese… Nuk ka mjet më efikas më praktik dhe më të qasshëm për ta parandaluar gripin sesa vaksina. Gjithë ata qytetarë të cilët bien në kategorinë e rrezikut është mirë të vaksinohen dhe ne në këto kategori kishim dashur të përfshijmë edhe komunitetin mjekësor për shkak se ata janë kategori që kanë shumë kontakte me qytetarë“, ka thënë ai.

Mbi 67 mijë qytetarë u imunizuan kundër gripit sezonal në Kosovë vitin e kaluar, ndërsa këtë vit autoritetet shëndetësore synojnë një përfshirje edhe më të gjerë.

“Patjetër që ka mundësi që të vaksinohet secili qytetar prej moshën 6 muajshe e sipër normalisht disa grupe janë më me prioritet…vitin e kaluar ka pas mbi 67 mijë të vaksinuar ne presim që këtë vit të ketë edhe më shumë për shkak se jemi duke zhvilluar takime të ndryshme informuese si me qytetarët si me komunitetin mjekësor në mënyrë që shkalla e vaksinimit të rritet dhe ne të kemi një popullatë të mbrojtur meqë mjetet për t’u mbrojtur”, deklaroi Hoti.

Në Kosovë vitin e kaluar janë regjistruar mbi 700 raste të gripit sezonal si me virusin A dhe B.

Kategoritë si personat me sëmundje kronike nën moshën 65-vjeç, punëtorët shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët nga 6 muaj deri në 5-vjeç me indikacione shëndetësore janë disa prej kategorive më me përparësi për t’u vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal./kp

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *