Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për “dokumente të rrejshme lidhur me tatimin”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri F.P., gjatë muajve janar- mars 2020 në Prizren dhe Prishtinë, në cilësi të pronarit të biznesit ‘’B.K.,’’AG, me dashje ka përdorur dokumentet e rrejshme, konkretisht 23 fatura fiktive në vlerë prej 18 milionë euro të lëshuara nga biznesi ‘’B.BB’’ sh.p.k., me personin përgjegjës të pandehurin B.B., se kinse ka kryer ndërtimin e hotelit “Lakeside” në Vërmicë-Prizren me qëllim të shmangies së pagesës së tatimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK). Kështu edhe i kanë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 3,449,016.61 €.
Po ashtu, sipas aktuakuzës, i pandehuri B.B., gjatë muajve janar-mars 2020 në Prishtinë, në cilësi të personit përgjegjës të biznesit ‘’B. BB’’ sh.p.k me dashje dhe me qëllim të mundësimit që biznesi ‘’B.K., AG’’ pronë e të pandehurit F.P., që t’i shmanget pagesës së tatimit në vlerë prej 3, 449,016.61 €, i ka lëshuar gjithsej 23 fatura fiktive në vlerë 18 milionë euro kinse për punët e ndërtimit të hotelit Lakeside në Vërmicë/Prizren edhe pse ndërtimi nuk ishte kryer nga ky biznes. Me këto veprime, i shkakton dëm material Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në vlerë prej 3, 449.016.61€, ndërsa vetë duke i lëshuar këto fatura fiktive i është shmangur pagesës së tatimit në vlerë prej 115,850.31 euro.
Ndërkohë, Prokurori i shtetit pas zhvillimit të procedurës hetimore, ka marrë aktvendim për pushimin e pjesshëm të hetimeve ndaj të pandehurve: A.P., A.R., A.J., G.GJ., M.Z., M.B., M.R., M.Z., N.B., S.T., V.K., XH.H., I.L., B.B., si dhe F.P. për veprat penale ‘’Shmangia nga tatimi ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ ‘’Mashtrimi në detyrë’’ dhe ‘’Shmangia nga tatimi’’.