Presidenti Agim Ademi zgjedhet anëtar i Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s

 

 

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është zgjedhur anëtar i Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s, një prej komiteteve më të rëndësishme të kësaj organizate globale.

Ky emërim përfaqëson një sukses të madh për futbollin kosovar dhe është pa dyshim një njohje ndërkombëtare e kontributit të vazhdueshëm të presidentit Ademi në zhvillimin dhe avancimin e futbollit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në skenën ndërkombëtare.

Komiteti për Marrëdhënie Institucionale ka një rol kyç brenda strukturave të FIFA-s. Ai këshillon dhe ndihmon FIFA-n në ndërtimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve me institucionet më të larta ndërkombëtare, si: Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Kombet e Bashkuara (OKB) dhe agjencitë e saj si UNESCO e UNICEF, organizatat qeveritare dhe joqeveritare në mbarë botën, si dhe shoqata të tjera ndërkombëtare të sportit.

Përmes këtij komiteti, FIFA ndërton ura bashkëpunimi për të promovuar vlerat e futbollit, si: përfshirja, barazia, paqja dhe zhvillimi i qëndrueshëm nëpërmjet sportit.

Përzgjedhja e presidentit Agim Ademi si anëtar i këtij komiteti është një dëshmi e rritjes së peshës së Kosovës në futbollin ndërkombëtar dhe një hap përpara drejt integrimit dhe diplomacisë sportive të mëtejshme të institucioneve të sportit kosovar në strukturat më të larta botërore.

Pas zgjedhjes në këtë komitet, presidenti Ademi ka deklaruar se ky emërim është një nder dhe përgjegjësi e madhe për të personalisht, por edhe për FFK-në si institucion: “Jam i nderuar që do të kontribuoj në një komitet kaq të rëndësishëm të FIFA-s. Ky është një sukses për gjithë futbollin kosovar dhe një dëshmi se puna jonë po vlerësohet në nivelet më të larta ndërkombëtare”.

Ky rol i ri i presidentit të FFK-së pritet të forcojë më tej pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe të sjellë mundësi të reja për bashkëpunime dhe projekte zhvillimore në të ardhmen.

Të rikujtojmë se presidenti Ademi është edhe anëtar i Komitetit HatTrick të UEFA-s, që po ashtu është njëri prej organeve më të rëndësishme të UEFA-s.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…