• Sat. Nov 22nd, 2025

Djali i ish-deputetit të VV’së Enver Dugollit punësohet në ‘gjykatën e tenderëve’

Oct 7, 2025

 

 

Genc Dugolli, djali i ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, është pranuar në pozitën e “ekspertit shqyrtues” në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).


Në garën për këtë pozitë, ai është vlerësuar me 78.6 pikë nga komisioni përzgjedhës, duke u renditur i dyti, pas Valbona Iballit, e cila ka marrë 89.2 pikë.

Organi Shqyrtues i Prokurorimit është institucioni që merret më vlerësimin e procedurave tenderuese në rast kontestesh.

Kur është kontaktuar nga VOX Kosova, Enver Dugolli, figurë e njohur brenda Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila qe pesë vjet ka qeverisur me vendin, është shprehur se nuk ka informacion nëse djali i tij është pranuar në OSHP.

“Po, djali im është. Po nuk e di për besë a është pranuar, se ai është i ndarë. E di që ka konkurruar një ose dy herë më herët”, ka thënë shkurtimisht Dugolli, kur është pyetur nëse ka ushtruar ndonjë ndikim për punësimin e të birit.

Por Genc Dugolli nuk është i vetmi nga familja Dugolli që ka gjetur strehë në institucionet shtetërore.

Edhe Gafurr Dugolli, vëllai i ish-deputetit, është emëruar sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes me vendim të Qeverisë gjatë vitit 2024.

Ndërkohë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fushatat e dikurshme bënte thirrje që “familjarët janë për dasma e ahengje e jo për institucione”, në praktikë duket se realiteti ka marrë kah tjetër.

Që nga ardhja në pushtet, është vërejtur një valë e përfshirjes së familjarëve të pushtetarëve në pozita kyçe shtetërore.

Ministritë, bordet dhe komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje, sot janë të mbushura me emra të lidhur ngushtë me pushtetin.