Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Që nga viti 2014, Ministria e Arsimit dhe Sindikata e Arsimit në Kosovë kanë nënshkruar së paku tri kontrata kolektive për të përmirësuar të drejtat e punëtorëve. Shumica e përfitimeve nga kontratat kolektive në arsim dhe shëndetësi mbeten të papaguara derisa punonjësit të drejtohen në gjykatë. Komunat detyrohen t’i shlyejnë vendimet gjyqësore, duke përdorur fonde të parashikuara për investime kapitale dhe shërbime publike. Pa një linjë të veçantë buxhetore nga Qeveria, problemet financiare për komunat mbeten të pazgjidhura dhe pengojnë zhvillimin lokal.

Një pjesë e këtyre parave duhej t’i ishin paguar gjatë viteve të punës, por pagesa u vonua dhe u bë e mundur vetëm pas vendimeve gjyqësore.

“Pagën jubilare dhe tri pagat e pensionimit i mora nga komuna pa gjyq. Por, për shujtën dhe pagesën për kualifikim u detyrova të shkoj në gjykatë, dhe vetëm pas dy vjetësh mora 2.800 euro për kualifikim dhe 1.800 euro për shujtën”, tregon Pllana.

Që nga viti 2014, Ministria e Arsimit dhe Sindikata e Arsimit në Kosovë kanë nënshkruar së paku tri kontrata kolektive për të përmirësuar të drejtat e punëtorëve, por ato nuk janë zbatuar plotësisht dhe, ndërkohë, janë ndërprerë.

Si rezultat, shumë punonjës të arsimit kanë shkuar në gjykata për të marrë përfitimet që u takonin, dhe shpesh gjykatat kanë vendosur në favor të tyre.

Përfitimet nga kontratat kolektive në arsim

Kontratat kolektive në arsim parashohin:

Pagë jubilare: për mbi dhjetë vjet përvojë pune, 50% e pagës bazë, deri në më shumë se 40 vjet përvojë, 150% e pagës bazë.

Tri paga pas daljes në pension.

Kompensim për përvojën e punës: 0.5% të pagës bazë për çdo vit pune.

Shujtë ditore: 2 euro për ditë.

Udhëtim në vendbanimet e komunës: 70% e çmimit të biletës urbane.

Rritje për inflacion.

Kontrata e fundit kolektive në arsim u nënshkrua në vitin 2021, por u ndërpre njëanshmërisht nga Ministria e Arsimit në vitin 2022, me arsyetimin se nuk është menaxhuar siç duhet.

Problemi financiar i komunave

Ligjërisht, këto përfitime duhet të paguhen nga komunat, por Qeveria qendrore nuk u ka dhënë atyre buxhet shtesë.

Në rastet kur këto përfitime nuk janë dhënë, punonjësit e arsimit dhe të shëndetësisë – të cilët gjithashtu përfitojnë nga kontratat kolektive – kanë kërkuar drejtësi përmes gjykatave.

“Në tre vjetët e fundit, mbi 60 mijë mësimdhënës në nivel vendi u janë drejtuar gjykatave dhe të gjithë i kanë fituar rastet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK).

Ai shton se kjo është e padrejtë, pasi kontratat janë nënshkruar me nivelin qendror, ndërsa përgjegjësia financiare u bie komunave si punëdhënëse të punëtorëve të arsimit, por edhe të shëndetësisë.

Sipas një raporti të publikuar në maj të këtij viti nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, me titull “Në kërkim të zgjidhjes: Problemet përmbarimore në komuna”, kontratë kolektive në sektorin e shëndetësisë është nënshkruar fillimisht në vitin 2015, e më pas në vitin 2018.

Ajo ka qenë në fuqi deri në fund të vitit 2021.

Dhe, ndryshe nga arsimi, kjo kontratë parashihte edhe pagesën e rrogës së trembëdhjetë vjetore.

Shërbyesit civilë janë duke kërkuar, po ashtu, kompensime përmes gjykatave, kryesisht për shujta dhe shpenzimet për transport.

Përmbaruesit, për kthimin e këtyre kompensimeve janë duke i paguar komunat.

Raporti i GAP-it tregon se gjatë vitit 2024, disa komuna kishin shpenzime përmbarimore më të larta se të hyrat vetanake, ndërsa në disa të tjera këto shpenzime i tejkaluan investimet kapitale.

Milionat për vendime gjyqësore

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga viti 2022 deri në gusht të këtij viti, komunat e Kosovës kanë paguar mbi 236 milionë euro për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Sipas tij, shuma më e madhe lidhet me kontratat kolektive në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë.

“Vetëm nga janari deri në gusht të këtij viti janë paguar 73.5 milionë euro. Prej tyre, mbi 40 milionë janë marrë nga investimet kapitale të komunave, mbi 24 milionë nga mallrat dhe shërbimet, 5.6 milionë nga subvencionet dhe transferet, si dhe 3 milionë nga faturat komunale”, shpjegon Ibrahimi.

Ai thotë se kontratat janë nënshkruar pa konsultim paraprak me komunat, pa vlerësim të ndikimit buxhetor dhe pa koordinim, duke bërë që barra financiare të bjerë padrejtësisht mbi komuna.

“Ata që i kanë nënshkruar kontratat, duhet të marrin përgjegjësi, si institucionale, ashtu edhe financiare. Komunat nuk i kanë nënshkruar, as ne si Asociacion. Qeveria i ka nënshkruar, pa marrë parasysh se kur dhe kush. Prandaj, përgjegjësia duhet të bjerë mbi nivelin qendror, jo atë lokal”, thotë Ibrahimi.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Ministrinë në detyrë të Financave, e cila ndan buxhetin, për të pyetur nëse në buxhetin e vitit të ardhshëm do të krijohet një linjë e veçantë për këto shpenzime, ose nëse do të rimbursohen mjetet që komunat kanë shpenzuar deri më tani për kompensimet e punonjësve, por nuk mori asnjë përgjigje.

Ibrahimi thotë se kjo situatë ka penguar zbatimin e shumë planeve zhvillimore në komunat e Kosovës, duke i kufizuar ato në projekte kapitale që do të përmirësonin jetën e qytetarëve.

Ngjashëm theksohet edhe në raportin e Institutit GAP.

“Komunat mbeten me mjete të pamjaftueshme për projekte zhvillimore, si ndërtimi i infrastrukturës, renovimi i shkollave, përmirësimi i shërbimeve komunale, investimet në zhvillim ekonomik lokal dhe përmbushja e nevojave të qytetarëve, që do të ndikonin në përmirësimin e cilësisë së jetës”, thekson raporti.

Aty, po ashtu, thuhet se dy kontratat kolektive në arsim, më 2017 dhe 2021, janë nënshkruar në prag të zgjedhjeve, pa vlerësim të ndikimit financiar nga institucionet.

Ndaj, sipas GAP-it, palët kanë llogaritur më shumë në përfitime elektorale sesa në zgjidhje të qëndrueshme.

Cila është zgjidhja?

Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, çështja e shpenzimeve për kontratat kolektive mund të zgjidhet lehtë nëse Qeveria dhe Kuvendi parashohin një linjë të veçantë buxhetore në nivel qendror.

“Me kaq mund të përfundojë kjo problematikë”, thotë Ibrahimi.

Edhe raporti i GAP-it thekson se niveli qendror mban përgjegjësinë për obligimet përmbarimore, pasi është sponsorizues i ligjeve dhe kontratave.

“Qeveria duhet të marrë përsipër ekzekutimin e pagesave që dalin nga vendimet gjyqësore për çështjen në fjalë”, thuhet në raport.

Komunat këtë vit kanë pasur në dispozicion rreth 843 milionë euro, ndërsa sipas Qarkores buxhetore për vitin 2026, buxheti i dedikuar për to do të jetë 867 milionë euro.

Në gusht të vitit 2022, 26 komuna paditën Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Shëndetësisë për kthimin e mjeteve financiare.

Paditë u bënë në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe u bartën në Gjykatën Komerciale, por deri tani nuk është marrë ndonjë vendim.

E kontaktuar nga REL-i, Gjykata nuk ka dha informacione nëse i ka shqyrtuar këto padi.

Related Posts

  • Një gjuajtje me armë ka ndodhur në Shirokë të Suharekës, mbrëmjen e sotme. Si pasojë e gjuatjes, dyshohet se një person ka mbetur i plagosur. Në videon e publikuar, shihet se njesitet kompetente kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin. IndeksOnline ka kontaktuar me Policinë dhe është në pritje të një

  •     Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është i pranishëm në duelin që Real Madridi po e zhvillon ndaj Villarrealit në kuadër të kampionatit spanjoll. Pak çaste para se të nis ndeshja, regjia spanjolle fokusoi presidentin Florentino Perez, ku shumë u befasuan kur panë afër tij presidentin e Shqipërisë, Edi Ramën. Rama tani ka reaguar

  •     Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka thyer rekordin e shikueshmërisë në debatin e sontëm në RTV Dukagjin, në emisionin “Debat Plus”. Përballë analistëve dhe gazetarëve, Berisha prezantoi platformën e tij zgjedhore dhe dha përgjigje të qarta e direkte për të gjitha pyetjet e adresuara. Performanca

  •     Një numër i madh protestuesish u mblodhën në qendër të Romës, dita e katërt me radhë e protestave në Itali për shkak të ndalimit nga Izraeli të një flotilje ndërkombëtare që po përpiqej të dërgonte ndihmë humanitare në Gaza dhe ndalimit të aktivistëve. Njerëz që mbanin banderola dhe flamuj palestinezë, duke brohoritur “Palestina