Covey kërkoi të bënte një koment në fund të dëshmisë në rastin Thaçi, por gjykata nuk e lejoi

 

 

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka përfunduar dëshminë e tij, James Peter Covey që ishte dëshmitari i katërt i mbrojtjes në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Covey kërkoi që në fund të dëshmisë së tij të bënte edhe një koment, mirëpo kjo kërkesë e tij u refuzua nga trupi gjykues me arsyetimin se komentet që nuk lidhen drejtpërdrejt me pyetjet nuk janë të lejueshme.

Gjykatësi Smith e falënderoi për dëshminë e tij, ndërkaq Covey u përgjigj “faleminderit për mundësinë që më dhatë për të ofruar dëshminë time”.

Pas kësaj avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, deklaroi se mbrojtja nuk do të jetë në gjendje të përfundojë paraqitjen e provave deri më 14 nëntor, siç është përcaktuar nga gjykata.

Ai gjithashtu shtoi se nuk do të mund të dorëzojnë as dosjen përfundimtare deri më 22 dhjetor, për shkak të mungesës së kohës dhe angazhimeve të shumta procedural, duke thënë se do të bëjë një kërkesë për shtyrjen e këtyre afateve.

Edhe avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, theksoi nevojën për të marrë parasysh një numër apelesh që lidhen me provat, përfshirë raporte mjeko-ligjore, përgjime dhe dëshmitarë të Rregullës 155.

Sipas tij, këto elemente janë të rëndësishme për përcaktimin e afateve dhe për vendimet që duhet të merren në vazhdim të procesit.

Seanca e sotme përfundoi pa ndonjë vendim për kërkesën e paralajmëruar të mbrojtjes për shtyrje të afateve.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…