Gazetari dhe drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili ka njoftuar se e ka fituar rastin ndaj portalit Kallxo.com në Këshillin e Mediave të Shkruara (KMShK).
Halili tha se KMSHK-ja, në një mbledhje të mbajtur të martën, e ka miratuar një ankesë të tij ndaj portalit Kallxo.com.
Drejtori i Radio Kosovës, ankesën për shkrimin me titull “Reagim ndaj fushatës shpifëse për kontratën e vitit 2017 mes BIRN-it dhe RTK-së” e ka deponuar me pretendimin për shkeljen e dy kapitujve të Kodit të Mediave të Shkruara.
Sipas ankesës së Halilit, portali Kallxo.com ka kryer shkelje të kapitujve II dhe IV, të cilat kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur.
“Pas një ankese zyrtare të paraqitur nga unë, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) ka konstatuar se Kallxo.com ka shkelur kapitullin mbi raportimin e së vërtetës dhe të drejtën për t’u përgjigjur”, tha Halili në një postim në rrjetin social Facebook të mërkurën.
Halili tha se portali i drejtuar nga Jeta Xharra publikoi një shkrim “me pretendime të pabazuara, me shpifje e gjuhë denigruese kundër personalitetit e integritetit tim dhe pa respektuar standardet elementare të gazetarisë”.
“Sot, vendimi i Këshillit vërtetoi qartë: e vërteta dhe etika profesionale janë më të forta se çdo propagandë”, theksoi Halili në postim. “Gazetaria nuk është shpifje e as shpikje rrëfimesh, por paraqitje faktesh, raportim i së vërtetës e mbi të gjitha është përgjegjësi ndaj Publikut”.
Në gusht të këtij viti, përmes shkrimeve publike, gazetari Arsim Halili u përfshi në një polemikë me BIRN-in rreth marrëveshjeve të shkuara të RTK-së me BIRN-in për transmetim të emisioneve.
Debati për marrëveshjet e RTK-së me BIRN-in u ndez në fillim të gushtit pas publikimit të ish-kryetarit të Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha, të disa gjetjeve për mënyrën sesi dy emisionet e platformës BIRN ishin larguar nga RTK-ja.
Hoxha, në publikimin e tij, pretendon se largimi i emisioneve të BIRN-it nga RTK-ja më 2021 kishte ndodhur për shkak të ndërhyrjes së grupeve të fuqishme të interesit, të lidhura me një nga biznesmenët më të fuqishëm në vend.
Këtë pretendim e proklamon edhe BIRN-i, i cili në një reagim për media paralajmëroi padi për shpifje ndaj ish-drejtorit të RTK-së, Ngadhnjim Kastrati dhe drejtorit të Radio Kosovës, Arsim Halili.
Në vitin 2021, Arsim Halili ishte shpallur fitues i Çmimit për Guxim Qytetar nga organizata FOL, për shkak të angazhimit të tij në ndalimin e rrënimit pa kontroll të mbetjeve kancerogjene të azbestit në ndërtesat e lagjes Lakrishtë./KFVA/
