Ministri gjerman: Rusia po bëhet gjithnjë e më kërcënuese

 

 

Rusia po bëhet “kërcënim gjithnjë e më i madh” për NATO-n, tha të hënën ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius.

Pistorius e tha këtë gjatë një vizite në Poloni dhe Lituani, në një kohë kur tensionet janë të larta në krahun lindor të aleancës ushtarake, për shkak të shkeljeve ajrore nga dronët rusë.

Duke folur në Forumin e Sigurisë në Varshavë, Pistorius tha se Moska po “teston aleatët e NATO-s me një shpeshtësi dhe intensitet në rritje”.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po “përpiqet me qëllim ta minojë sigurinë evropiane dhe integritetin territorial të kombeve evropiane”, theksoi Pistorius.

“Ai kërkon t’i provokojë shtetet anëtare të NATO-s. Ai dëshiron t’i ekspozojë dobësitë brenda aleancës sonë”, nënvizoi ai.

Por, NATO-ja ka “reaguar ndaj provokimeve të Rusisë me qartësi, unitet, vendosmëri dhe maturi”, shtoi ministri gjerman.

“Ne nuk do të biem në kurthin e Putinit të përshkallëzimit të vazhdueshëm. Po ruajmë gjakftohtësinë duke qëndruar të palëkundur dhe të vendosur”, theksoi ai.

Përkrah Pistoriusit, në forum ishin të pranishëm edhe ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, dhe homologu i tij estonez, Hanno Pevkur, si dhe komisionari Evropian për Mbrojtje dhe Hapësirë, Andrius Kubilius.

Pistorius pritet gjithashtu të bisedojë për të ardhmen e marrëdhënieve të Ukrainës me Evropën në bisedime të nivelit të lartë në kryeqytetin polak.

Bisedimet vijnë disa javë pasi dronë rusë u rrëzuan mbi Poloni.

Incidenti u pasua nga shkelje të hapësirës ajrore të NATO-s në Rumani dhe Estoni.

“Kur është e nevojshme, forcat e NATO-s janë të gatshme, ashtu si avionët e aleatëve tanë në Baltik që u ngritën dhe shoqëruan avionët rusë jashtë hapësirës ajrore të Estonisë”, tha Pistorius.

Duke folur në këtë konferencë, kryeministri polak, Donald Tusk, tha se lufta e Rusisë në Ukrainë është pjesë e një projekti politik për nënshtrimin e popujve të tjerë.

“Kjo luftë është edhe lufta jonë”, deklaroi Tusk.

“Nëse e humbim këtë luftë, pasojat do të ndikojnë jo vetëm mbi gjeneratën tonë, por edhe mbi brezat e ardhshëm në Poloni, Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe kudo tjetër në botë”, shtoi ai

  • Shkrime të ngjashme

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…

    Rama thotë se mbyllja përfundimtare e RTSH-së është opsion: Mund të ketë edhe privatizim ose partneritet

    Kryeministri shqiptar Edi Rama tha sot se Televizioni Publik Shqiptar ka dështuar. Ai u shpreh pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste se “bilanci i televizionit publik është dështim i suksesshëm”. “Kemi tentuar që të krijojmë kushtet që televizioni…