Nicolas Sarkozy shpallet fajtor për konspiracion kriminal në paktin me Gadafin

 

 

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy është shpallur fajtor për konspiracion kriminal në një gjyq në të cilin ai dhe ndihmësit e tij u akuzuan për lidhjen e një pakti të dyshuar korrupsioni me regjimin e diktatorit të ndjerë libian Muammar Gaddafi për të marrë fonde për fushatën zgjedhore presidenciale franceze të vitit 2007.

Por Sarkozy u lirua nga tre akuza të tjera. Ndërsa kryegjykatësja, Nathalie Gavarino, vazhdoi të lexonte vendimin të enjten, Sarkozy u shpall fajtor për konspiracion kriminal, por u lirua nga akuzat për korrupsion, keqpërdorim të fondeve publike libiane dhe financim të paligjshëm të fushatës zgjedhore. Dënimi nuk është shpallur ende, raporton The Guardian.

Sarkozy, i cili kishte mohuar të gjitha shkeljet, pritet të apelojë menjëherë vendimin, transmeton në shqip Gazeta KFVA.

Prokurorët i kishin thënë gjykatës se Sarkozy dhe ndihmësit e tij hartuan një “pakt korrupsioni” me Gaddafin dhe regjimin libian në vitin 2005 për të financuar në mënyrë të paligjshme fushatën fitimtare të zgjedhjeve presidenciale të Sarkozyt dy vjet më vonë.

Gjykata kishte dëgjuar se në këmbim të parave, regjimi libian kërkoi favore diplomatike, ligjore dhe biznesi dhe kuptohej se Sarkozy do të rehabilitonte imazhin ndërkombëtar të Gaddafit.

Udhëheqësi autokrat libian, sundimi brutal 41-vjeçar i të cilit u shënua nga shkelje të të drejtave të njeriut, ishte izoluar ndërkombëtarisht për shkak të lidhjes së regjimit të tij me terrorizmin. /Reporteri.net/

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…