Suedia apelon për “gatishmëri lufte” në Evropë

 

 

Ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson, të martën bëri thirrje që Evropa të rrisë përgatitjet për një konflikt të armatosur, për shkak të kërcënimit që paraqet Rusia.

“Ne duhet të adoptojmë një mentalitet të ri evropian, të kalojmë nga një mentalitet i kohës së paqes në një gatishmëri lufte”, tha Jonson në Berlin, përpara një takimi me homologun e tij gjerman, Boris Pistorius, raporton DPA.

Rusia po armatoset masivisht dhe po ndërton një ushtri “më vdekjeprurëse”, duke bërë përparime të mëdha në armët me rreze të gjatë dhe në luftën elektronike, tha Jonson në një aktivitet në Fondacionin Konrad Adenauer, përcjell KFVA.

Ai paralajmëroi se vendet e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) duhet të koordinohen më ngushtë në mbrojtje.

“Flasim për një larmi brenda aleancës sa i përket investimeve në mbrojtje,” tha Jonson. “Kjo nuk është gjë e mirë. Nuk dua të shoh fragmentim në investimet për mbrojtjen”.

Pas neutralitetit gjatë Luftës së Ftohtë, Suedia iu bashkua NATO-s vitin e kaluar, si përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

“Ne e shohim Ukrainën si mburojë – ose si shpatë, nëse doni – kundër zgjerimit ushtarak rus”, tha ai.

“Por, tani, po shohim gjithashtu se barra e mbështetjes financiare për Ukrainën po mbahet nga gjithnjë e më pak aleatë brenda NATO-s”.

Jonson kërkoi, gjithashtu, një bashkëpunim më të fortë dypalësh në fushën e mbrojtjes me Gjermaninë, duke argumentuar se të dy qeveritë duhet të promovojnë standardizimin dhe kontratat afatgjata.

Sipas tij, Berlini dhe Stokholmi po ndjekin një rrugë të ngjashme për strategjinë e mbrojtjes.

Të dy vendet po investojnë shuma rekorde në mbrojtje, pas një periudhe të gjatë të investimeve të vogla, ndërsa përballen me të njëjtat sfida nga lufta në Ukrainë dhe kërcënimi rus në rajonin e Detit Baltik

  • Shkrime të ngjashme

    Arratisja e Altin Ndocit, arrestohet pas shkarkimit ish-drejtori i Burgut të Durrësit

    Drejtori i shkarkuar i burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, pas arratisjes së Altin Ndocit, është arrestuar nga Policia, si i akuzuar për “shpërdorim detyre”. Pas arratisjes së Ndocit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbardhi të gjitha shkeljet që dyshohet të…

    Shifrat e fushatës: Sa ka investuar AAK për zgjedhjet lokale

    KQZ ka bërë publike detajet financiare të fushatës së AAK-së për zgjedhjet lokale të këtij viti. Raporti i paaudituar tregon se partia e Ramush Haradinajt ka shpenzuar mbi 24 mijë euro, kryesisht për reklama, paga dhe detyrime të tjera, duke…