Këto tre vende njohin Palestinën si shtet të pavarur

 

 

Në një zhvillim historik diplomatik, Mbretëria e Bashkuar ka shpallur njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës, duke iu bashkuar Kanadasë dhe Australisë në përpjekjen ndërkombëtare për të rigjallëruar shpresën për paqe në Lindjen e Mesme dhe për të mbështetur zgjidhjen me dy shtete.


Kryeministri britanik, Keir Starmer, deklaroi : “Sot, për të rikthyer shpresën për paqe për palestinezët dhe izraelitët, dhe për një zgjidhje me dy shtete, Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht Shtetin e Palestinës.”

Ky vendim pason deklaratat e ngjashme nga kryeministri kanadez, Mark Carney, i cili bëri publike njohjen e Palestinës si shtet sovran më herët këtë javë:

“Kanadaja njeh Shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore si për Palestinën ashtu edhe për Izraelin,” shkroi ai në rrjetin X.

Po ashtu, Australia shpalli njohjen e Palestinës, duke e bërë të qartë se ky hap është pjesë e një përpjekjeje të koordinuar me Kanadanë dhe Britaninë për të avancuar zgjidhjen me dy shtete. Kryeministri australian, Anthony Albanese, e cilësoi këtë si një angazhim të përbashkët ndërkombëtar për paqe të qëndrueshme.

Këto tre shtete Kanadaja, Australia dhe tashmë edhe Britania janë të parat nga grupi i shtatë vendeve më të industrializuara të botës (G7) që ndërmarrin hapin zyrtar për të njohur Palestinën si shtet. Vendimet janë shpallur gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Vendimi i Britanisë vjen pas paralajmërimit të bërë nga Starmer më 29 korrik, se njohja e Palestinës do të bëhej nëse Izraeli nuk ndërmerrte hapa konkretë për të përmirësuar situatën në Gaza, të përfshinte një armëpushim të qëndrueshëm dhe të lejonte rikthimin e ndihmave humanitare.

Që nga ajo kohë, situata në Gaza është përkeqësuar ndjeshëm, me ofensiva të reja ushtarake nga Izraeli në Gaza City, raportime për uri ekstreme nga agjencitë ndërkombëtare dhe akuza për gjenocid të ngritura nga Komisioni i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Ky bashkëpunim midis Britanisë, Kanadasë dhe Australisë pritet të ushtrojë presion të shtuar mbi komunitetin ndërkombëtar për të ndërmarrë hapa konkrete drejt paqes dhe njohjes së të drejtave legjitime të popullit palestinez.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…