Raporti i DASH-it: Kosova ndër vendet që plotësojnë standardet minimale të transparencës fiskale

Në Raportin për Transparencën Fiskale për vitin 2025, të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Kosova është vlerësuar si një nga vendet që plotësojnë kërkesat minimale të transparencës fiskale.

Kjo e vendos Kosovën në mesin e 71 vendeve që kanë përmbushur standardet e vendosura nga SHBA, nga gjithsej 139 shtete dhe autoritete të shqyrtuara, transmeton Periskopi.

Sipas raportit, vlerësimi është bërë bazuar në performancën gjatë periudhës 1 janar – 31 dhjetor 2024, dhe ka përfshirë kritere të qarta si:

  • Publikimi i dokumenteve kryesore të buxhetit;

  • Saktësia dhe përmbajtja e të dhënave buxhetore;

  • Pavarësia funksionale dhe financiare e institucioneve supreme të auditimit;

  • Transparenca në kontraktimin dhe licencimin për nxjerrjen e burimeve natyrore dhe prokurimet publike.

Departamenti i Shtetit thekson se këto standarde janë forcuar edhe më tej këtë vit, duke shtuar kërkesa të reja për autonominë e institucioneve të auditimit dhe për publikimin e kontratave publike, veçanërisht në sektorët e burimeve natyrore.

Raporti vlerëson se transparenca fiskale është një komponent kyç për menaxhim të mirë financiar publik, ndihmon në uljen e korrupsionit, rrit besimin e investitorëve dhe përforcon llogaridhënien e qeverive ndaj qytetarëve të tyre.

Për Kosovën, ky vlerësim pozitiv përbën një sukses institucional dhe një sinjal të qartë ndaj donatorëve ndërkombëtarë, bizneseve dhe qytetarëve për qeverisje më të hapur dhe të përgjegjshme.

Në të njëjtin raport, vende të rajonit si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut gjithashtu janë renditur si vende që plotësojnë standardet minimale të transparencës fiskale.

  • Shkrime të ngjashme

    Arratisja e Altin Ndocit, arrestohet pas shkarkimit ish-drejtori i Burgut të Durrësit

    Drejtori i shkarkuar i burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, pas arratisjes së Altin Ndocit, është arrestuar nga Policia, si i akuzuar për “shpërdorim detyre”. Pas arratisjes së Ndocit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbardhi të gjitha shkeljet që dyshohet të…

    Shifrat e fushatës: Sa ka investuar AAK për zgjedhjet lokale

    KQZ ka bërë publike detajet financiare të fushatës së AAK-së për zgjedhjet lokale të këtij viti. Raporti i paaudituar tregon se partia e Ramush Haradinajt ka shpenzuar mbi 24 mijë euro, kryesisht për reklama, paga dhe detyrime të tjera, duke…