Avioni i pasagjerëve qëndron një orë në ajër… kontrollorin e pistës e kishte zënë gjumi

 

 

Një ngjarje e pazakontë ndodhi në aeroportin Napoleon Bonaparte në Ajaccio, në Francë, ku një avion Airbus A320 i kompanisë Air Corsica u detyrua të qëndronte në ajër për gati një orë sepse kontrollori i vetëm i fluturimeve… ishte në gjumë.

Ngjarja ndodhi pak pas mesnate të së martës. Avioni që vinte nga Parisi, me një orë vonesë, u përball me një pistë të errët dhe mungesë komunikimi nga kulla e kontrollit. Pilotët, të shqetësuar, nisën të bënin xhiro mbi Gjirin e Ajaccios, ndërsa kërkonin ndihmë nga kontrollorët rajonalë.

Sipas të përditshmes lokale Corse Matin, në shërbim ndodhej vetëm një kontrollor, i cili duhej të priste avionin, por e kishte zënë gjumë. Ekipi i zjarrfikësve të aeroportit tentoi disa herë të lidhej me të, pa sukses, derisa njoftoi xhandarmërinë. Për shkak të dyerve të sigurisë, hyrja në kullë u vonua, por më në fund kontrollori u gjet në gjumë në zyrën e tij, shkruan KFVA.

Avioni i pasagjerëve qëndron një orë në ajër...

Pasi e zgjuan, ai ndezi dritat e pistës dhe dha leje për uljen e avionit. Kapiteni i fluturimit, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se nuk pati panik dhe se pasagjerët e morën situatën me humor.

Kontrollori iu nënshtrua testimeve për alkool e drogë, por rezultoi i pastër. Megjithatë, incidenti ka hapur debat të madh në Francë, ku sindikatat e kontrollorëve kanë paralajmëruar shpesh se mungesa e stafit dhe kushtet e vështira të punës krijojnë lodhje dhe rrezik serioz për sigurinë ajrore.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…