Fillon përgatitja për dimër, çmimet të larta e pagat të ulëta

 

 

Në Tregun e Gjelbër në Prishtinë, pemët dhe perimet, kryesisht të stinës, ishin ndër më të kërkuarat nga qytetarët. Kjo për shkak se shumë prej tyre tashmë kanë nisur përgatitjen për turshi. Megjithatë, çmimet po u duken të larta për standardin e jetesës.

“Kemi filluar disa përgatitje, pak turshi e domate kështu. Por sivjet çmimet janë shumë të shtrenjta, rrogat janë të ulëta, ashtu edhe pensionet”, thotë një qytetar i intervistuar.


Për shkak të çmimeve, disa thonë se ende nuk kanë filluar të furnizohen.

“Ende nuk jemi përgatitur, sepse ka kohë dhe çmimet janë të shtrenjta në treg. Me një pension nuk ia dalim, po duhet të blejmë sot për nesër”, thekson një tjetër qytetar i intervistuar.

Por nuk është fjala vetëm për pemë e perime. Qytetarët ankohen edhe për rritjen e çmimeve të produkteve të tjera, si buka – një produkt bazë i ushqyerjes, jo vetëm gjatë një sezoni.

“Çmimi është i lartë, duhet ndoshta të stimulohen bujqit…”, thotë një qytetar.

Ata që kanë mundësi për t’u furnizuar me mish për dimër, thonë se çmimi i tij sillet deri në 13 euro për kilogram. Krahas furnizimit me turshi, miell e mish për muajt në vijim, qytetarët po sigurojnë edhe dru e pelet për ngrohje.

Të gjithë ata që si burim ngrohje kanë drutë, përballen me një çmim që këtë vit sillet deri në 65 euro për metër.

Ndërsa temperaturat kanë nisur të bien, qytetarët që po përgatiten për muajt e ftohtë thonë se mbeten me shpresën se përballja me çmimet e larta do të jetë më e lehtë sesa përballja me të ftohtin.

  • Shkrime të ngjashme

    Arratisja e Altin Ndocit, arrestohet pas shkarkimit ish-drejtori i Burgut të Durrësit

    Drejtori i shkarkuar i burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, pas arratisjes së Altin Ndocit, është arrestuar nga Policia, si i akuzuar për “shpërdorim detyre”. Pas arratisjes së Ndocit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbardhi të gjitha shkeljet që dyshohet të…

    Shifrat e fushatës: Sa ka investuar AAK për zgjedhjet lokale

    KQZ ka bërë publike detajet financiare të fushatës së AAK-së për zgjedhjet lokale të këtij viti. Raporti i paaudituar tregon se partia e Ramush Haradinajt ka shpenzuar mbi 24 mijë euro, kryesisht për reklama, paga dhe detyrime të tjera, duke…