E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka dhënë disa përgjigje mjaft të ashpra në raport me veprimet dhe deklaratat e Albin Kurtit së fundmi, sidomos me bllokimin e nënkryetarit serb në Kuvend.
Prattipati është shprehur e zhgënjyer më deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti të bëra në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në fjalimin e tij në këtë mbledhje, Kurti hodhi akuza të forta ndaj Gjykatës Kushtetuese duke e quajtur “hije politike të opozitës” ndaj Vetëvendosjes.
Prattipati vlerësoi se deklaratat e Kurtit kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë.
“Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti, të cilat kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. Këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës dhe përkeqësojnë tensionet ndëretnike”, ka theksuar Prattipati.
“Ne jemi duke e shqyrtuar me kujdes përgjigjen tonë, por më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”, ka deklaruar tutje Pratipati.
Në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, të mbajtur të dielën Kurti tha se “gjykata më e lartë në vend po funksionon si hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes”.
Akuzat u bënë pas vendimit të Kushtetueses që ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ka ndaluar zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Kurti dhe Osmani patën akuza e paralajmërime ndaj Kushtetueses, teksa po ashtu thanë se kjo mund t’ia japë Listës Serbe veton në Kuvend, ani pse me Kushtetutë komunitetit serb i garantohet një nënkryetar.