“Premtimet fantastiko-shkencore nuk pinë më ujë” – Bekë Berisha tregon pse po garon për Prishtinën

 

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Komunës së Prishtinës, Bekë Berisha, ka shpalosur arsyet e hyrjes në garë dhe prioritetet që do të ndjekë nëse merr besimin e qytetarëve.

Berisha tha se vendimi për të kandiduar lindi nga zhgënjimi me premtimet e pa-realizuara të deritanishme.

“Prishtinën po thonë që e duan, por për me e bërë kryeqytet duhet filluar nga gjërat bazike. Ka pasur premtime fantastiko-shkencore, por qyteti nuk ka parë rezultate të prekshme. Kjo më ka shtyrë të hy në garë, sepse qytetarët kanë nevojë për punë konkrete”, deklaroi ai.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com

Një nga pikat më të forta të programit të tij është siguria e fëmijëve në shkolla.

“Nuk ka me pasë prind që hip në ballkon e pret me shqetësim fëmijën. Për herë të parë, prindërit në Prishtinë do ta kenë një aleat të fortë për sigurinë e fëmijëve të tyre”, tha Berisha.

Ai shtoi se do të angazhojë policë në pension përreth shkollave dhe do të krijojë Ligën e Sporteve për t’i orientuar gjeneratat e reja drejt aktiviteteve të shëndetshme.

Berisha theksoi se Prishtina nuk mund të zhvillohet pa zgjidhur çështjet më elementare: kanalizimi, ujësjellësi, ndriçimi, transporti publik, qentë endacak, mbeturinat etj.

“Nuk kemi nevojë me zbulu yje të rinj. Duhet të kryhen gjërat elementare trotuaret, ujësjellësi, kanalizimi. Nëse këto nuk bëhen, qyteti nuk ecë përpara”, theksoi ai.

Sa i përket mbeturinave, Berisha premtoi zgjidhje të shpejtë brenda pak ditëve.

“Çështjen e mbeturinave e kryj për 10 ditë. Ky është problem artificial, i krijuar nga kryetari aktual dhe partneri i tij i deritashëm, është krijuar prej inateve dhe korrupsionit, por qytetarët nuk kanë pse të vuajnë”, tha ai.

Për problemin e komunikacionit, kandidati i AAK-së propozoi një projekt konkret.

“Do të ndërtohet tunel nëntokësor për qarkullim, ndërsa sipër do të jetë shesh për qytetarët dhe bizneset. Kështu e zgjidhim trafikun dhe krijojmë hapësirë funksionale”, shpjegoi ai.

Në lidhje me urbanizmin, ai paralajmëroi “vija të kuqe”.

“Deri sot ka funksionu me marrëveshje e pazare, tash e tutje ka me funksionu vetëm ligji. Unë nuk i quaj ndërtuesit ‘mafia e ndërtimit’, por nuk mund të ndërtohet më pa rregulla”, theksoi Berisha.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com

Një tjetër prioritet i tij është krijimi i një identiteti të qartë kulturor dhe historik për Prishtinën.

“Prishtina duhet të ketë identitet të vetin të jetë kryeqyteti i shqiptarëve dhe i dardanëve. Nuk mund të vazhdojmë me simbole të Jugosllavisë së kaluar. Turistët duhet ta dinë se po vijnë në vendin e dardanëve”, u shpreh Berisha.

Në këtë episod të “Përballje Podcast” Bekë Berisha ka folur edhe për çështje tjera dhe kundërkandidatet e tij në garën e 12 tetorit. 

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…