Ndalohet një shtetas serb në Jarinjë, i sekuestrohen afro 20 mijë euro të padeklaruara

 

 

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndaluar një veturë në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, ndërsa gjatë kontrollit i janë zbuluar dhe sekuestruar mjete monetare të padeklaruara në vlerë afro 20 mijë euro. 

Mjetet monetare janë gjetur në posedim të një shtetasi të Serbisë, ka njoftuar Dogana, ndërsa ishin kryesisht në dinarë serbë, e një pjesë edhe në euro.

“Zyrtarët doganorë në Pikëkalimin Kufitar Jarinjë, gjatë një kontrolli rutinë të automjeteve që hynin në territorin e Republikës së Kosovës, kanë zbuluar dhe sekuestruar mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej afro 20,000 euro. Mjetet monetare janë gjetur në posedim të një shtetasi të Serbisë, i cili po hynte në territorin e Republikës së Kosovës. Paratë e sekuestruara përbëheshin kryesisht nga monedha në dinarë serb, ndërsa pjesa tjetër në valutën euro. Mjetet monetare nuk ishin deklaruar sipas rregullave doganore në momentin e hyrjes. Sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës çdo shumë monetare mbi 10,000 euro që hyn ose del nga territori i vendit duhet të deklarohet pranë autoriteteve doganore. Mosdeklarimi i këtyre mjeteve përbën shkelje ligjore dhe i nënshtrohet procedurave administrative dhe ndëshkuese, si dhe hetimeve të mëtejshme”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.

Dogana ka thënë se është e përkushtuar për ta parandaluar kontrabandën financiare, pastrimin e parave dhe të gjitha aktivitetet e paligjshme që cenojnë sigurinë ekonomike dhe financiare të vendit.

“Veprimet e tilla ndihmojnë në ruajtjen e stabilitetit fiskal dhe mbrojtjen e tregut të brendshëm”, njoftoi Dogana.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…