• Fri. Nov 21st, 2025

Dhunimi i turistes 18-vjeçare, mediat italiane raportojnë ngjarjen e rëndë në plazhin e Durrësit

Sep 6, 2025

 

 

Dhunimi i turistes italiane nga një 26-vjeçar në qytetin e Durrësit është raportuar në mediat italiane.

Corriere della Sera citon policinë shqiptare, që njoftoi se vajza nga Campagna Lupia ndodhej në një shezlong pranë një hoteli në orën 05:25 minuta, kur Leonard Peza abuzoi seksualisht me të.

Ajo ka treguar në polici se gjatë kësaj kohe i është afruar një person i panjohur, i cili e ka sulmuar dhe megjithë tentativat e saj për t’u mbrojtur ai e ka përdhunuar e më pas ai është larguar. Menjëherë, pas ngjarjes vajza ka shkuar të bëjë denoncimin, ku ka treguar të gjitha të dhënat që mbante mend në lidhje me përdhunuesin, raporton KFVA.

Vajza tha se u përpoq t’i rezistonte dhunës, por nuk mundi ta ndalonte. I arrestuari, duke folur me hetuesit, pranoi marrëdhënien seksuale, por pohoi se ishte konsensuale. Megjithatë, ekzaminimet mjekësore identifikuan mavijosje në qafën e vajzës dhe në pjesë të tjera të trupit të saj, të cilat do të konfirmonin përdorimin e forcës nga 26-vjeçari shqiptar.

“Isha me disa miq gjatë natës dhe pimë edhe alkool. Për një moment, u largova nga grupi dhe u ula në një shezlong disa metra larg hotelit”, u shpreh turistja, citojnë mediat italiane Policinë e Shtetit./