Aktakuzë ndaj katër shtetasve të huaj për shpëlarje parash dhe keqpërdorim të kartelave bankare

 

 

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave – tre shtetas të Republikës së Turqisë dhe një shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut – për përfshirje në veprimtari kriminale që përfshin shpëlarje parash, lëshim të çeqeve pa mbulesë dhe keqpërdorim të kartelave bankare dhe të kreditit.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit A.S., A.S., S.O. dhe S.E., gjatë periudhës 11 nëntor 2024 – 20 shkurt 2025, kanë vepruar në bashkëkryerje me qëllim përfitimi të kundërligjshëm. Ata dyshohet se kanë regjistruar biznese në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), kanë hapur llogari bankare për to dhe më pas kanë klonuar qindra kartela bankare ndërkombëtare – kryesisht të shtetasve nga Danimarka dhe vende të tjera, raporton KFVA.

Përmes POS-terminaleve të bizneseve të tyre, ata kanë realizuar transaksione të dyshimta dhe i kanë transferuar fondet në llogaritë e tyre personale. Vlera e dëmit të shkaktuar përmes këtyre veprimeve kap shumën prej 372,900.42 euro.

Gjithashtu, në të njëjtën periudhë kohore, të pandehurit akuzohen se kanë shpëlarë para duke i tërhequr mjetet në para të gatshme nga bankomatët dhe duke kryer transferime jashtë vendit, konkretisht në Republikën e Turqisë, me qëllim të fshehjes së origjinës dhe shmangies nga përgjegjësia ligjore.

Aktakuza është ngritur për veprat penale:

“Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit” – sipas nenit 301 të KPRK-së, dhe

“Shpëlarja e parave” – sipas nenit 302 në lidhje me nenin 31 të KPRK-së dhe nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Të akuzuarit aktualisht ndodhen në masën e paraburgimit, ndërsa Prokuroria ka propozuar që kjo masë të vazhdohet deri në përfundim të procedurave gjyqësore.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…