Përplaset teleferiku historik në Lisbonë, të paktën 15 të vdekur

 

 

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Lisbonë, ku teleferiku historik, Gloria Funicular, një nga atraksionet më të famshme turistike të qytetit, ka dalë nga shinat funikulare duke shkaktuar një tragjedi. Autoritetet portugeze të emergjencës konfirmuan se të paktën 15 persona humbën jetën dhe 18 të tjerë u plagosën, ndërsa disa mbetën të bllokuar në vendngjarje.

Shefi i Autoritetit të Mbrojtjes Civile të Portugalisë tha se dy nga të plagosurit janë në gjendje kritike. Sipas gazetës Observador, një kabllo e liruar gjatë rrugës bëri që treni të humbiste kontrollin dhe të përplasej me një ndërtesë pranë Avenida da Liberdade, rreth orës 18:05.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë vagonin e verdhë të përmbysur dhe pothuajse të shkatërruar, ndërsa dhjetëra njerëz shiheshin duke vrapuar mes tymit që mbuloi zonën.

Gloria Funicular është ndërtuar në vitin 1885 dhe është elektrifikuar tri dekada më vonë. Prej më shumë se një shekulli është një nga simbolet më të njohur të Lisbonës dhe destinacion i përhershëm për turistët.

Një hekurudhë funikulare është një lloj transporti hekurudhor që përdor kabllo për të tërhequr vagonët lart e poshtë një pjerrësie të madhe. Është projektuar posaçërisht për terrene ku trenat e zakonshëm nuk mund të ngjiten lehtësisht për shkak të këndit të madh të shpatit.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…