Bosnja dhe Hercegovina bllokon ngarkesën me pjeshkë nga Shqipëria: Kanë pesticide, të rrezikshme për fëmijët

 

 

Agjencia për Sigurinë Ushqimore e Bosnjës dhe Hercegovinës ka ngritur alarmin për pjeshkët e importuara nga Shqipëria. Kjo sepse pas një kontrolli, pjeshkët nga Shqipëria që eksportohen në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë rezultuar me përmbajtje të ndaluar pesticidi.

Ky është lajmi që ka qarkulluar prej një jave tashmë në mediat boshnjake. Bëhet fjalë për praninë e pesticidit klorpirifos, një substancë aktive që “nuk është në përputhje me Rregulloren për nivelet maksimale të mbetjeve të pesticideve në ushqimin me origjinë bimore dhe shtazore”.

Agjencia për Sigurinë Ushqimore e Bosnjës dhe Hercegovinës njoftoi se në një mostër pjeshke është konstatuar prania e substancës aktive klorpirifos. Agjencia saktësoi se bëhet fjalë për një lot të datës 12 gusht 2025, klasa II, korrje e vitit 2025.

Ekspertët boshnjakë, paralajmërojnë se konsumimi i këtyre pjeshkave, veçanërisht nga fëmijët, “mund të tejkalojë ndjeshëm kufijtë e sigurisë dhe paraqet rrezik të lartë për shëndetin”.

Pjeshkët e kontestuara sipas mediave boshnjake, kanë kaluar kufirin pa pengesa dhe kanë përfunduar në tregun e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Rrezik i lartë për fëmijët

Agjencia paralajmëron se konsumimi i këtyre pjeshkëve nga fëmijët mund të tejkalojë ndjeshëm dozën referuese akute të pesticidit, duke përbërë rrezik serioz për shëndetin. Klorpirifosi, në doza të larta, mund të shkaktojë stimulim të tepruar të sistemit nervor, duke çuar në të përziera, marramendje, konfuzion, dhe në raste ekstreme, paralizë respiratore dhe vdekje.

“Vlerësimi i shpejtë i rrezikut ka treguar se konsumimi i këtyre pjeshkëve nga fëmijët përbën rrezik të lartë për shëndetin,” deklaroi Agjencia, duke shtuar se të gjitha informacionet janë përcjellë tek organet inspektuese kompetente.

Kryetari i Shoqatës së Bujqve, Nedžad Biço, fajëson institucionet përgjegjëse për kontrollin e importit të ushqimeve.

“Shoh si përgjegjëse të gjitha institucionet që mbikëqyrin kalimin e kufirit dhe hyrjen e mallrave, veçanërisht ushqimoreve. Këto mallra rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe dëmtojnë prodhimin vendas. Ku është inspektorati fitosanitar në kufi?” tha Biço. Ai paralajmëron se ky nuk është një rast i izoluar.

  • Shkrime të ngjashme

    Bie blloku A3 i termocentralit “Kosova A”

    Njësia A3 e termocentralit “Kosova A” ndodhet aktualisht jashtë funksionit, raporton Kosova Free Voice Agency. Kështu merr vesh Periskopi përmes burimeve , por nuk dihet arsyeja. Ndërsa ,Korporata Energjetike e Kosovës gjatë ditës së djeshme njoftoi se po operojnë njëkohësisht…

    NATO: Kroacia tani do të mbrojë qiellin e saj me Rafale

    NATO ka njoftuar se Kroacia po hyn në një epokë të re të mbrojtjes së saj ajrore, pasi do të marrë plotësisht përgjegjësinë për mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore me aeroplanë luftarakë modernë Rafale. Siç thekson NATO në njoftim,…