SBASHK paralajmëron: Në mungesë të dialogut, greva e pashmangshme

 

 

Përfaqësuesja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, ka folur rreth mundësisë së grevës në sektorin e arsimit pas fillimit të vitit të ri shkollor.

Ajo ka thënë se hallet dhe kërkesat e mësimdhënësve vazhdojnë të mos dëgjohen nga Ministria e Arsimit. “Hallet e mësimdhënësve nuk i ka dëgjuar as në të kaluarën Ministria e Arsimit e as tani”, u shpreh Shala.

Sipas saj, pas konstituimit të institucioneve, SBASHK-u është i gatshëm për dialog dhe për të paraqitur kërkesat e punëtorëve të arsimit, duke i cilësuar ato si legjitime dhe të arsyeshme. “Pas konstituimit të institucioneve SBASHK-u është i gatshëm për dialog dhe takime me qëllim që t’i paraqesë kërkesat e punëtorëve të arsimit dhe të gjenden zgjidhje për to”, tha ajo.

Megjithatë, Shala paralajmëroi se në mungesë të dialogut, nuk përjashtohen as veprimet sindikale. “Po, në rast se nuk do të ketë prapë dialog dhe nuk do të ketë bashkëpunim për zgjidhjen e kërkesave të punëtorëve të arsimit, atëherë nuk përjashtohen as veprimet sindikale, natyrisht as greva”, theksoi ajo.

Duke folur për gjendjen aktuale, ajo tha se arsimi ka nisur me shumë probleme. “Subvencionimi i teksteve shkollore, kurrikulat, pastaj kërkesat e punëtorëve të arsimit, kontrata kolektive, zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për 15 vitet e para të përvojës së punës, ngritja e vlerës së koeficientit në Ligjin e Pagave dhe përkundër ngritjes së inflacionit, pastaj mos përfshirja e SBASHK-ut në trupat profesionalë të Ministrisë së Arsimit…”, u shpreh Shala.

Ajo shtoi se një problem i vazhdueshëm mbetet edhe moszgjidhja për punëtorët e arsimit që vuajnë nga sëmundje kronike. “Punëtorët e arsimit të cilët janë me sëmundje të rënda kronike, për të cilët kemi kërkuar vazhdimisht që t’u mundësohet pensionimi i parakohshëm, dhe një gjë e tillë nuk është duke u bërë”, tha ajo në Five në RTV Dukagjini.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…