Një ndërhyrje e suksesshme kirurgjikale në arterien karotide, arteria që furnizon trurin me gjak, u realizua së fundmi në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të QKUK-së, transmeton Gazeta KFVA.
Pacienti 84-vjeçar, i cili dy javë më parë kishte pësuar një atak ishemik tranzitor për shkak të ngushtimit të arterisë karotide interne të djathtë rreth 80%, iu nënshtrua operacionit me anestezion lokal (bllok anestezioni).
Ky lloj ndërhyrjeje, i aplikuar kohët e fundit në Klinikën Vaskulare, shmang përdorimin e anestezionit të përgjithshëm dhe zvogëlon rrezikun e komplikimeve. Gjatë operacionit, pacienti mbeti i vetëdijshëm dhe nën monitorim të vazhdueshëm neurologjik, duke rritur sigurinë e procedurës.
“Metoda moderne ofron përfitime të shumta: rikuperim më të shpejtë, ulje të rreziqeve kardiopulmonare, qëndrim më të shkurtër në spital dhe rehabilitim më të lehtë,” thuhet në njoftim.
Operacioni u krye me sukses nga ekipi mjekësor: Dr. Hajri Rudari, Dr. Harjeta Zherka-Saraqini, Dr. Lendita, Dr. Lavdim Morina (specialist i anestezionit), Dr. Pranvera Maloku (specialiste e anestezionit), instrumentistet Mirdita Menxhiqi dhe Mirvete Hajdini (teknike e anestezionit).
