Bekë Berisha, nga shoku i luftës te dëshmitari i brezit që mban emrin e Tasimit!

 

Në historinë e Kosovës, ka ditë dhe emra që nuk shuajnë kurrë. Një prej tyre është emri i dëshmorit Tasim Elezaj, i cili ra heroikisht më 16 qershor 1999, në ditët e çlirimit, duke u përballur me forcat paraushtarake serbe në fshatin Vrellë të Istogut. Ai ishte një luftëtar i palodhur i Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” të UÇK-së, njeri i guximit dhe i bindjes se liria nuk vjen pa sakrificë.

Në mesin e atyre që e njohën më mirë, që e panë në aksione, që e kishin shok lufte, ishte edhe Bekë Berisha – sot deputet, dikur bashkëluftëtar në Zonën Operative të Dukagjinit. Për Bekën, kujtimi i Tasimit nuk është vetëm histori, por përjetim i gjallë i ditëve të luftës.

“Dje, ishim krah për krah në betejë me Tasimin. Sot, jam pranë nipit të tij, Tasimit të ri, që sapo diplomoi në Fakultetin e Arkitekturës. Ky është emocion i madh, një dëshmi e fortë se gjaku i derdhur nuk ka qenë i kotë”, shkruan Berisha.

Në fotografinë e parë shihet ai bashkë me dëshmorin e lirisë. Në fotografinë e dytë, koha e sjellë përpara: nipi që mban me krenari emrin e axhës, sot i diplomuar, duke nisur rrugën e tij të jetës në një Kosovë të lirë.

Ky kontrast i fuqishëm mes së kaluarës dhe së tashmes është më shumë se emocion personal – është dokument i gjallë i sakrificës dhe vazhdimësisë. Nga pushka në front tek diploma në auditor, Kosova e dëshmorëve është Kosova e brezave që sot ndërtojnë, krijojnë dhe arrijnë.

Emri i Tasim Elezajt nuk jeton vetëm në pllakata e përmendore, por në arritjet e gjeneratave që e trashëgojnë idealin dhe emrin e tij. Për Bekë Berishën dhe për gjithë bashkëluftëtarët, ky moment është një kujtesë e fortë se liria ka çmim, por edhe shpërblim: që gjeneratat e reja të jetojnë e të krijojnë të ardhmen në paqe.

 

 

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…