I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen kishte vizituar Kosovën në fillim të këtij muaji. Vetëm disa javë më pas, Sorensen vizitoi edhe Serbinë. Sigurisht, temë kryesore ishte dialogu mes dy shteteve, raporton KFVA.
Këto takime, jo rastësisht u zhvilluan si ‘shpejt e shpejt’. Sipas zyrës së BE-së, Sorensen është duke përgatitur një takim të ri në nivel të Kryenegociatorëve të dy vendeve.
Kështu konfirmuan zyra e BE-së për Periskopin, në një përgjigje me shkrim dhënë më 27 gusht.
“Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Sorensen po viziton Beogradin në përgatitje të një takimi të ardhshëm të Kryenegociatorëve në periudhën më të afërt të mundshme”, thuhet në përgjigje.
Ndryshe, i dërguari i BE-së për dialogun, gjatë vizitës në Prishtinë, kishte diskutuar me zyrtarët kosovarë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
I pyetur nga gazetarët mbi gjendjen aktuale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Sorensen tha shkurt se procesi është “aktiv”.
Marrëveshja për të cilën bëhet fjalë u arrit mes dy palëve në vitin 2023.
Edhe pse nuk është nënshkruar, BE-ja insiston se marrëveshja është detyruese.
Dokumenti prej 11 nenesh, ndër të tjera, parasheh një nivel të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë, njohjen reciproke të simboleve shtetërore, shmangien e bllokimit nga Serbia të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe detyrimin që Prishtina dhe Beogradi të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme të arritura në dialog.
Raundi i fundit i dialogut Kosovë–Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së, u mbajt më 10 qershor.
Përfshirja e SHBA-së në dialog
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në një intervistë për Fox News, në janar të këtij viti, kishte paralajmëruar rikthimin e tij në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas Trump, paraardhësi i tij në detyrë, Joe Biden, i ka dëmtuar perspektivat e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë përmes vendimeve “budallaqe” që ka ndërmarrë.
“Gjithashtu, gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po e përballonin me forcë, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndalova atë (Biden ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë budallaqe, por do ta rregulloj përsëri!)”.
Trump, madje kishte thënë se ‘duhej të kishte marrë çmimin Nobel për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi’.
“Duhet të më jepnin çmimin Nobel për Ruandën dhe a e keni parë rastin e Kongos? Mund të thoni Serbia dhe Kosova. Mund të thoni shumë prej tyre. Më i madhi është India dhe Pakistani. Duhet ta kisha marrë katër ose pesë herë”, tha ai kur u pyet se a do mund të fitonte çmimin Nobel nëse do të zgjidhte problemin mes Izraelit dhe Iranit.
Kanë kaluar 14 vjet nga fillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një proces që synonte normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por që ende nuk ka prodhuar një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme.
Dialogu filloi më 9 mars 2011, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Fillimisht si proces teknik për çështje praktike si lëvizja e lirë, targat dhe kadastrat.
Por me kalimin e kohës, procesi mori karakter politik, duke përfshirë temat më të ndjeshme që prekin sovranitetin, statusin dhe raportet bilaterale.
Në prill të vitit 2013 u arrit marrëveshja e parë në Bruksel, e cila konsiderohej një hap historik drejt normalizimit.
Megjithatë, zbatimi i saj ka mbetur i pjesshëm dhe shumë pika kyçe kanë mbetur pezull – përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Procesi u shoqërua me ngecje të vazhdueshme dhe tensione politike, ndërsa në vitin 2020, nën administratën e presidentit amerikan Donald Trump, u arrit një marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, që solli edhe njohjen e Kosovës nga Izraeli.
Përpjekje të reja u bënë edhe gjatë viteve të fundit, përfshirë “Marrëveshjen në Ohër” të arritur në vitin 2023, e cila theksonte zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe njohjen de-facto të realitetit të dy shteteve.
Megjithatë, edhe në vitin 2025 dialogu vazhdon të mbetet pa një epilog të qartë.