Më shumë se tre milionë të papunë në Gjermani

 

Hera e fundit që shkalla e papunësisë në Gjermani ishte kaq e lartë në muajin gusht, ishte 15 vjet më parë. Megjithatë ekspertët i shohin muajt e ardhshëm me një optimizëm të lehtë.

Papunësia në Gjermani është rritur në më shumë se tre milionë njerëz për herë të parë në më shumë se dhjetë vitet e fundit. Numri i të papunëve u rrit në gusht krahasuar me muajin e kaluar me 46.000, në 3.025 milionë. Kjo është 153.000 më shumë se në gusht të vitit 2024, njoftoi Agjencia Federale e Punësimit në Nuremberg. Shkalla e papunësisë u rrit krahasuar me korrikun e këtij viti me 0,1 pikë përqindjeje, në 6,4 përqind.

Numri i të papunëve mbi kufirin prej tre milionësh u regjistrua për herë të fundit në shkurt të vitit 2015.

Pushimet verore nuk e shpjegojnë zhvillimin

“Tregu i punës karakterizohet ende nga stanjacioni ekonomik në vitet e fundit”, tha drejtuesja e Agjencisë Federale të Punësimit, Andrea Nahles. “Megjithatë, ka edhe shenjat e para të stabilizimit”, shton ajo.

Numri i të papunëve në Gjermani rritet parimisht gjithmonë gjatë verës, sepse kompanitë punësojnë më pak para pushimeve vjetore. Por shifrat e gushtit ishin për herë të fundit kaq të larta 15 vjet më parë.

“Tre milionë të papunë janë një pasojë e turpshme e refuzimit për të zbatuar reformat në vitet e fundit”, tha Rainer Dulger, president i Konfederatës së Shoqatave të Punëdhënësve Gjermanë. Ai theksoi se tani nevojitet një valë e vërtetë reformash në vjeshtë.

A do të stabilizohet tregu i punës?

Në një krahasim mbarëkombëtar, shkalla e papunësisë në landet Bremen (11.8 përqind) dhe Berlin (10.5 përqind) është tepër e lartë. Ndërsa në landet jugore,  në Bavari (4.2 përqind) dhe Baden-Württemberg (4.7 përqind) shifrat e papunësisë janë më të ulëtat. Agjencia Federale e Punësimit për statistikat përdori të dhëna të disponueshme deri më datën 13 gusht. Të dhënat pas datës 13 gusht do të përpunohen në bilancin zyrtar për këtë muaj, që bëhet muajin e ardhshëm.

Por pavarësisht këtyre shifrave të reja rekord, Instituti për Kërkime të Tregut të Punës dhe Profesioneve (IAB) sheh shenjat e para të përmirësimit të gjendje. Për barometrin e tyre të tregut të punës, ekspertët anketojnë të gjitha agjencitë e punësimit çdo muaj në lidhje me pritjet e tyre për tre muajt e ardhshëm.

Në gusht, për herë të parë në tre vjetët e fundit, ata prisnin që rritja e papunësisë të ndalej. Gjithashtu, sipas këtyre vlerësimeve, punësimi mund të fitonte përsëri të merrte vrull.

Clemens Fuest, President i Institutit Ifo, i rekomandon qeverisë federale të miratojë kundërmasa sa më shpejt të jetë e mundur. “Politika duhet të tregojë se nuk është vetëm e aftë të marrë hua, por edhe të zbatojë reforma strukturore që janë të vështira dhe shkaktojnë konflikte”, tha Fuest. “Nëse reformat kanë sukses, investimet private në Gjermani do të rriten përsëri, dhe bashkë me të do të hapen edhe vende të reja pune”, thotë ai. /D

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…