Pas gjashtë muajsh bllokadë dhe mbi 50 seanca të dështuara, më 26 gusht Dimal Basha mori timonin e Kuvendit me 73 vota. Fjalimi i tij u përpoq të tingëllonte solemn: “Parlamenti është zemra e demokracisë”. Por që nuk shkoi shumë, e i pari i Kuvendit, menjëherë në të njejtën javë që u zgjodh në fakt, bëri atë që para tij se kishte bërë askush, dhe kjo mu në zemër të demokracisë.
Ai e shpalli Kuvendin të konstituuar, anipse Kuvendi nuk e zgjodhi askënd nënkryetar nga komuniteti serb.
Madje Basha, thirri mbledhje të kryesisë për të hënën që vjen, ftesë që u refuzua nga LDK e PDK.
Liburn Aliu, dorëheqja
Një ditë pasi u zgjodh Basha Kryeparlamentar, ministri Liburn Aliu hodhi “bombën”: dorëheqje. Arsyeja? Zgjedhja e kryeparlamentarit nuk përputhej me idealet që ai thotë se e sollën në politikë. Për një figurë themeluese të Vetëvendosjes, ky ishte një sinjal serioz se uniteti brenda partisë është më i brishtë se kurrë. Në vend të tij, Albin Kurti nxitoi ta emërojë Hysen Durmishin. Kurti edhe kur u pyet për Aliun, tha se “pa humbur kohë emërova Durmishin në vend të tij”.
Punimi që ndezi UÇK-në
Por javës nuk i mungoi as skandali akademik. Një punim i vitit 2012, ku figuron emri i Dimal Bashës, shpërtheu si temë. Në të përmendet se UÇK-ja ishte financuar edhe nga trafikantë dhe përbëhej nga “banditë patriotikë”. Reagimi ishte i ashpër: veteranët e UÇK-së kërkuan dorëheqjen e tij, ndërsa në rrjet u ndezën debatet. Basha u mbrojt duke thënë se nuk ka shkruar asnjë fjali kundër UÇK-së dhe se “luftën e ka të shenjtë”. Kryeparlamentarin e mbrojti edhe Kurti duke shtuar se artikulli ishte shkruar para më shumë se një dekade./