Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Blerim Sallahu është caktuar sot si ushtrues detyre i Ministrit të Drejtësisë, pas zgjedhjes së Albulena Haxhiut si Nënkryetare e Kuvendit. Sallahu, i cili është përzgjedhur nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti për ta drejtuar një prej dikasterve më të rëndësishme, e kishte të akuzuar vëllain për veprën penale të fajdesë.

Rrahim Sallahu është shpallur i pafajshëm dhe liruar para veç një muaji, më 18 korrik 2025, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Lënda për këtë rast ishte zvarritur me vite, ku për gati pesë vjet nuk ishte caktuar asnjë seancë dhe për këtë gjyqtari i rastit, Naser Foniqi, kishte marrë edhe vërejtje publike.

Aktakuza kundër vëllait të Blerim Sallahut dhe tre të tjerëve, ishte ngritur në prill të vitit 2016. Enver Avdullahu, Rrahim Sallahut, Fatlum Abazi dhe Bujar Avdullahu dyshoheshin se duke shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit Kushtrim Musliu, gjatë periudhës 2011-2015, i kishin dhënë atij borxh shuma të ndryshme të parave dhe mjete motorike, në të cilat shuma kishin llogaritur dhe marrë fajde. Këto fajde, sipas aktakuzës, në borxhin që i dëmtuari e ka marrë, i janë llogaritur në shuma javore, mujore, të cilat sipas aktakuzës, disa herë kishin kaluar shumën e parave të marra borxh.

Gjyqtari Foniqi e kishte pranuar këtë lëndë më 10 korrik të vitit 2017, teksa seancën e parë e kishte caktuar pas gati dy muajsh. Gjatë atij viti ishte mbajtur edhe një seancë më 6 nëntor, teksa tjetra më 5 shkurt 2018.

Gjyqtari pastaj nuk kishte caktuar seancë të re për rastin për rreth pesë vjet.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte marrë vendim për shqiptimin e vërejtjes publike me shkrim ndaj gjyqtarit Foniqi.

Në arsyetimin e vendimit thuhej se nuk mund të arsyetohet mosndërmarrja e asnjë veprimi për 4 vite e 9 muaj.

“Këshillit nuk i ka ikur fakti se subjekti i hetimit, gjegjësisht gjyqtari Naser Foniqi ishte i mbingarkuar me lëndët ashtu siç është pohuar gjatë dëgjimit të tij dhe dëshmitarëve të tjerë për këtë çështje. Këshilli vlerëson se periudha kohore prej 4 vite e 9 nëntë muaj në çdo rast nuk e justifikon mosveprimin e subjektit të hetimit me çrast neglizhencën e treguar për zvarritjen e shkaktuar nga gjyqtari Foniqi”, thuhej në arsyetimin e këtij vendimi.

Foniqi e kishte atakuar vendimin deri në Gjykatën Kushtetuese, por që i ishte rrëzuar ankesa secilën herë.

Për procesin gjyqësor ndaj të vëllait, ishte deklaruar edhe vetë Blerim Sallahu, përmes një postimi në Facebook, në gusht të vitit 2021, disa muaj pasi ishte emëruar zëvendësministër.

Ai kishte thënë se rasti i të vëllait është i vitit 2012, teksa shtonte se nuk jetonte me vëllain dhe se përgjegjësia ishte individuale.

“Në periudhën në fjalë, madje nuk kam qenë fare as në Kosovë, me ç’rast kam qenë për studime jashtë vendit; Edhe sipas parimeve ligjore, kushtetuese e ndërkombëtare, unë jam përgjegjës vetëm për veprimet e mia personale dhe përgjegjësia është tërësisht individuale dhe vetëm individuale”, kishte shkruar Sallahu.

Ndonëse ndaj vëllait të tij kishte aktakuzë të ngritur nga Prokuroria, Sallahu sulmonte mediat.

“Shantazhet që duan t’i manifestojnë edhe si kërcënime, në fakt vetëm më motivojnë për ta shtuar angazhimin edhe më shumë për ta çkapur sistemin prokurorial e gjyqësor, në mënyrë që të mos ketë hapësirë për pronarët e portaleve të caktuara që në fakt janë pseudogazetarë e funksionojnë si sekserë të “pastrojnë figura”, siç po mësojmë nga përgjimet që janë motori i sulmeve të orkestruara ndaj meje!”, thuhej në postimin e Sallahut.

Ndryshe, kritika për trajtimin e rasteve të fajdesë ka pasur para një muaji edhe ish-Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu kishte thënë se sistemi i drejtësisë nuk po i trajton me seriozitetin dhe vendosmërinë që kërkohet.

Ajo kishte bërë me dije se nga 1,752 persona që mbahen në institucionet korrektuese të Kosovës, prej tyre vetëm 4 janë të dënuar për veprën penale “Fajdeja” dhe 8 janë në paraburgim.

“Këto nuk janë thjesht vepra të izoluara, janë pjesë e një zinxhiri kriminal që godet më të pambrojturit dhe kontribuon në një ndjenjë të thellë padrejtësie në shoqëri. Rastet e fundit tragjike janë një dëshmi e qartë për pasojat që sjell neglizhenca institucionale ndaj këtyre fenomeneve”, kishte shkruar Haxhiu.

Ajo kishte bërë thirrje që me urgjencë duhet të rishikohen politikat ndëshkimore dhe të forcohet aspekti i hetimeve dhe ndjekjes penale për veprën penale të fajdes./KFVA/

Related Posts

  •     Dimal Basha, kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës me një “hulumtim” skandaloz kishte përfshirë UÇK-në me botën e krimit. Basha në këtë “hulumtim” kishte pretenduar se UÇK-ja kishte rekrutuar ish të burgosur, banditë patriotë e kriminelë. Basha si bashkautor, kishte shkruar se UÇK-ja ishte financuar nga trafikuesit e drogës që në emër

  •     Kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka caktuar si ushtrues të detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysne Durmishin pas dorëheqjes së Liburn Aliut.   Njoftimi i plotë: Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka caktuar sot zëvendësministrin e deritanishëm të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen

  •     Pas disa ditësh pezullim të shërbimit, Shoqata e Transportuesve në linjën Prishtinë–Podujevë ka vendosur që të ndërpresë përkohësisht grevën. Qarkullimi i autobusëve do të rifillojë nesër (e enjte), sipas itinerarit të rregullt. Kryetari i Shoqatës së Transportuesve, Beqir Mustafa, në një prononcim për IndeksOnline konfirmoi marrëveshjen e arritur me Komunën e Prishtinës. “Greva

  •     Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se sot kanë filluar pagesat për aplikuesit për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore. Nagavci thotë se pagesat janë ekzekutuar për 120.425 aplikues, transmeton KFVA. “Të dashur prindër, Që kur është hapur aplikimi, më 15 gusht përmes platformës e-kosova, janë pranuar gjithsej 183.226