• Sun. Oct 12th, 2025

Historia e përplasjeve të Aliut me Kurtin që u finalizua me dorëheqjen nga Ministria shkaku i Dimal Bashës

Bykfvanews

Aug 27, 2025

 

 

Liburn Aliu, njëri ndër themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje, ka dhënë sot dorëheqje nga pozita e Ministrit në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Si arsye për dorëheqje, Aliu ka paraqitur pakënaqësinë me zgjedhjen e Dimal Bashës për Kryeparlamentar, por distancimi i tij me partinë e kreun e saj, Albin Kurtin, ka filluar shumë më herët, shkruan KFVA.

Zgjedhja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës, ka ngjallur pakënaqësi në partinë e Albin Kurtit. Njëri ndër themeluesit e Vetëvendosjes, Liburn Aliu, dha sot dorëheqje si Ministër.

Aliu, përmes një postimi në Facebook, tha se dorëheqjen e ka dorëzuar sot te Kurti.

“Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës”, shkroi Aliu.

Ai tha se zgjedhja e Bashës në krye të institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, “nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”.

Kryeministri në detyrë, e as ZKM ende nuk ka kanë dalë me ndonjë deklaratë rreth kësaj dorëheqje.

Në vitin 2022, kishte pasur një përplasje mes tyre në Kuvend lidhur me Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, ku Basha e akuzonte Aliun se me atë projektligj po amnistonte mafinë e betonit. Në seancën e 8 dhjetorit të vitit 2022 , Basha në foltoren e Kuvendit kishte kritikuar ministrin Aliut se ajo çfarë po bënte ishte nismë jo parimore.

Por, ndonëse e përdori si arsye zgjedhjen e Bashës në krye të Kuvendit, Aliu ka nisur një lloj distancimi me partinë dhe kreun e saj, Albin Kurtin, shumë më herët.

Sinjalet u dhanë edhe me mospërfshirjen e tij në listën për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Aliu kishte thënë se ka qenë zgjedhje e tij të mos jetë pjesë e listës. Madje, kishte thënë se vendimin e kishte marrë kogja më herët.

“Vendim i imi ka qenë, nuk është se është marr tash së voni”, kishte thënë Aliu, para gazetarëve.

Ftohja e raporteve të tij me Kurtin kishte nisur në marsin e vitit të kaluar.

Aliu, i cili ka prejardhje nga Lugina, e pati cilësuar të gabuar pozicionimin e Kurtit në krah të një partie politike në zgjedhjet lokale të mbajtura në Serbi, konkretisht në Luginën e Ppreshevës.

“Nuk po mund të rri neutral në këtë pikë pasi që jam me origjinë nga Presheva, pavarësisht orientimit dhe simpatisë personale, po mendoj se kjo ka qenë gabim dhe veprim i gabueshëm”, kishte deklaruar Aliu.

Ai po ashtu pati thënë se ka qenë edhe gabim që Kurti ka marrë pjesë në një tubim elektoral me një parti politike të caktuar nga Lugina e Preshevës, pasi siç ishte shprehur, kryeministri duhet të jetë përbashkues.

Sipas Aliut, pjesëmarrja në tubim dhe mbështetja e një partie tjetër ishte një gabim.

“Ky ka qenë gabim dhe ky duhet të rregullohet sa më parë”, kishte theksuar Aliu.

Kurti i ishte kundërpërgjigjur Aliut për këtë deklaratë, ku kishte thënë se si kryeministër i vendit dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, vendos se kënd ta mbështesë edhe në Bashkimin Evropian e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “e lëre më në Preshevë.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka qëndrimin e qartë dhe merr vendimet në organet e veta. Ne kemi mbështetur edhe Shaip Kamberin në zgjedhjet parlamentare. Aty nuk ka qenë vetëm një bllok, por kanë qenë dy blloqe dhe ne jemi përcaktuar ta mbështesim bllokun që i ka prirë Shaip Kamberi, ku kanë qenë pesë parti. Por, ka qenë edhe një bllok me dy a tri parti tjera. Unë jam kryeministër i Kosovës dhe kryetar i LVV-së. Unë flas publikisht se kush duhet mbështetur edhe në Bashkimin Europian e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e lëre më në Ulqin e Preshevë”, ishte shprehur Kurti.

Pas këtyre deklaratave, Kurti dhe Aliu nuk ishin parë bashkë për disa javë.

Ata ishin shfaqur bashkë tek pas dy muajve, kur Kurti e kishte marrë me vete gjatë një vizite në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, dhëndri i Aliut, Berat Lahu, ishte dorëhequr nga Vetëvendosja para katër muajsh. Ai kishte shprehur pakënaqësi lidhur me votimin e buxhetit kohë më parë, dhe çështjen e Badocit./

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *