Categories: Botë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Botë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Bundeswehri gjerman ka nevojë për 60.000 deri në 80.000 ushtarë të rinj shtesë. Sot qeveria gjermane hap rrugën për një ligj të ri të shërbimit ushtarak vullnetar. Po a do të mjaftojë ai?

Ministri gjerman Mbrojtjes, Boris Pistorius (SPD) është optimist. Ai e përsëriti qëndrimin e tij, se shërbimi i ri ushtarak fillimisht do të bazohet në pjesëmarrjen vullnetare.

Qeveria federale dëshiron të “dërgojë një sinjal shumë të qartë (…): Ne mbështetemi në pjesëmarrjen vullnetare, do t’i marrim këto shifra”. Këtë e tha Pistorius në radion Deutschlandfunk të mërkurën (27.08.), duke iu referuar numrit të ushtarëve shtesë të nevojshëm për Bundeswehr. Kabineti Federal vendos të mërkurën për planet e shërbimit të ri ushtarak të Pistorius. Nga viti i ardhshëm çdo i ri apo e re do të marrë një letër në shtëpi me një pyetësor nga Bundeswehr. Meshkujt duhet t’i përgjigjen. Vajzat mund t’i përgjigjen kësaj kërkese. Aty pyetet kush ka dëshirë të kryejë vullnetarisht shërbimin ushtarak. Më pas do të bëhet testimi i djemve të rinj.

A do të mjaftojë një pyetësor?

André Wüstner i Shoqatës së Bundeswehrit është skeptik. Pjesëmarrja vullnetare nuk do të jetë e mjaftueshme, mendon ai. “Nuk kemi kohë”, paralajmëron Wüstner. Tani bëhet fjalë për formulimin e vullnetit politik. “Nëse është vullnetare, në rregull. Sinqerisht, nuk e besoj. Kjo është arsyeja pse duhet të përgatitemi për pjesëmarrje të detyrueshme.” Wüstner argumenton se nevojiten profesionistë – domethënë, ushtarë karriere dhe të përkohshëm. Dhe përveç kësaj, nevojitet kontigjent bazë i “personelit të ri të rekrutuar”. Bundeswehr-it i mungojnë të dyja.

Unioni Kristiandemokrat e Kristiansocial, CDU/CSU nuk e përjashton futjen e shërbimit të detyruar. Nga Unioni dëgjohet, se nëse nuk arrihen shifrat e kërkuara, duhet të vendoset automatikisht detyrimi i shërbimit ushtarak. Por ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius nga socialdemokratët paralajmëson se një shërbim ushtarak si dikur nuk mund të vendoset kaq shpejt. E këtë e pranoi edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz kur bëri fjalë se nuk nuk ka kazerma në numër të mjaftueshëm dhe instruktorë ushtarakë. “Edhe nëse të gjithë do të donim, nuk mund ta rivendosnim thjesht ligjin e rekrutimit ushtarak që u pezullua në vitin 2011”, citon tageschau, kancelarin Merz.

Të rinjtë duan të dëgjohet zëri i tyre

Aktualisht Bundeswehri gjerman ka 182.000 ushtare e ushtarë, por ka nevojë për 60.000 deri në 80.000 ushtarë të rinj shtesë. Ministri aktual i Mbrojtjes, Boris Pistorius (SPD) dëshiron të rekrutojë deri në 5. 000 rekrutë shtesë në vit përmes shërbimit ushtarak. Për t’i tërhequr ata, Bundeswehr-i duhet të bëhet më tërheqës. Për shembull me më shumë para. Por nuk bëhet fjalë vetëm për para. Daniela Broda, kryetare e Këshillit Federal të të Rinjve Gjermanë e sheh me sy kritik debatin rreth shërbimit ushtarak në Gjermani. “Të rinjtë duan të dëgjohen. Ata duan të jenë vërtet të përfshirë”, thekson Broda e dëshiron që të rinjtë të konsultohen – edhe kur debati zhvillohet në Bundestag. Sugjerimi i saj është konkret: Pse shërbimi ushtarak ose rekrutimi ushtarak duhet të diskutohet vetëm në Komitetin e Mbrojtjes dhe jo në Komitetin për Çështjet e Familjes dhe të Rinisë?

Pezullimi i shërbimit ushtarak

Ishte viti 1956 kur u vendos rekrutimi ushtarak në Gjermaninë Perëndimore, gjashtë vjet më vonë në RDGJ. Pastaj, në vitin 2011, pasi Lufta e Ftohtë kishte kohë që mbaruar, rekrutimi ushtarak u hoq përfundimisht, por për momentin. Ministri i Mbrojtjes atëkohë Karl Theodor zu Guttenberg tha në atë kohë se shërbimi ushtarak nuk ishte shfuqizuar, por thjesht ishte pezulluar, pasi askush nuk e di se çfarë do të ndodhë pas 20 ose 30 vjetësh. Nuk zgjati shumë. Në vitin 2022, Rusia pushtoi Ukrainën. Dhe lindën pyetje të reja, në thelb të vjetra: A mund ta mbrojmë veten dhe nga do të vijnë ushtarët?/KFVA

Related Posts