Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka bërë me dije se ajo që ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarëve nga komuniteti jo-shumicë ka qenë tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Ai ka vlerësuar se nuk mund të pyetet komuniteti shumicë për të drejtat kushtetuese të komuniteteve joshumicë.

Në këtë intervistë për  Nacionale, Hasani ka thënë se deputeti Nenad Rashiq nuk ka të drejtë dhe nuk mund të propozohet për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës në emër të komunitetit serb.

Sipas tij, atë propozim mund ta bëjë vetëm grupi parlamentar i serbëve në Kuvendin e Kosovës.

Pyetje: Z. Hasani, sot në Kuvend doli “tymi i bardhë”. U zgjodh kryetari i Kuvendit, por u bllokua çështja të nënkryetarët. Si e pat përpjekjen e sotme të deputetëve për konstituimin e Kuvendit?
Hasani: Mendoj se sjellja e PDK-së ishte korrekte dhe në përputhje me premtimin e saj publik se do të votonte një kandidat që nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit të qeverisë Kurti. Për qytetarët kjo është një lajm i mirë. Nga aspekti politik, megjithatë, një hap i tillë i PDK-së, pa një marrëveshje politike, del problematik, sepse nuk ekziston asnjë garanci që do të arrihet deri te konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe zhbllokimi i ngërçit, siç shihet qartë edhe nga sjellja e sotme e kryetarit të Kuvendit të pakonstituar.
Llogaritja e PDK-së dhe e qytetarëve se me votimin e kryetarit të Kuvendit do të kalohej automatikisht në formimin e ekzekutivit ka rezultuar e gabuar.

Pyetje: Procesi ngeci te zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet, kur procedura për zgjedhjen e dy nënkryetarëve të Kuvendit që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë u nda. A ishte në rregull ky veprim?
Hasani: Ajo që pamë sot është tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, si me germën ashtu edhe me frymën e saj. Dispozitat kushtetuese janë të qarta, ashtu siç kanë qenë të qarta edhe për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, dhe i japin përparësi absolute propozimit të shumicës së deputetëve të komuniteteve joshqiptare për të zgjedhur kandidatin për nënkryetar të Kuvendit. Ata aty nuk përfaqësojnë ideologjinë politike, por të drejtat dhe interesat e komunitetit të tyre ashtu siç mbrohen ato nga Kapitulli III i Kushtetutës së Kosovës dhe dispozitat saj mbi mosdiskriminimin mbi asnjë bazë.

Këto dispozita ndahen në tri pjesë: pjesa e parë e tyre i referohet kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Ai përfaqëson të gjithë dhe kompetencat e tij janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë; pjesa e dytë lidhet me nënkryetarët nga komuniteti shqiptar; dhe, së fundi, pjesa e tretë ka të bëjë me nënkryetarët nga komunitetet joshqiptare. Pikërisht këto dispozita të fundit përcaktojnë qartë se votimi për nënkryetarët e komuniteteve joshqiptare duhet të bëhet në paketë, siç ka ndodhur gjithmonë në praktikën parlamentare deri më sot, pa asnjë përjashtim.

Hedhja në short bëhet vetëm atëherë kur vetë komunitetet joshumicë nuk arrijnë marrëveshje mes veti për përfaqësuesin e tyre. Kjo procedurë vlen vetëm për komunitetet joshqiptare dhe jo-serbe. Administrimi i shortit nuk mund të bëhet nga kryetari i Kuvendit me vetëiniciativë dhe në mënyrë arbitrare, siç ndodhi sot.

Zoti Rashiq nuk ka asnjë të drejtë të propozohet, as sipas Kushtetutës së Kosovës dhe as sipas Rregullores së Kuvendit. Votimi duhet të bëhet nga shumica e komunitetit serb, gjë që Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit e përcaktojnë qartë. Rregullorja është akti i vetëm nënligjor që normohet plotësisht me Kushtetutën e Kosovës dhe shërben si parametër matës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së akteve të Kuvendit TË Kosovës, nëse ato përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Sa i përket frymës, dua t’ua rikujtoj se demokracia kushtetuese në Kosovë është konsociacionale, e derivuar nga Pakoja e Ahtisarit. Mbi këtë bazë është shpallur pavarësia e Kosovës. Kjo formë demokracie nënkupton, shkurt, që komuniteti shumicë nuk mund të mbivotojë apo të diskriminojë komunitetet joshqiptare që janë në pakicë. Kjo vlen për të gjitha degët e pushtetit – legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin – përfshirë edhe për Gjykatën Kushtetuese.

Në të gjitha këto institucione duhet të ketë përfaqësim adekuat të komuniteteve joshumicë. Nuk mund të pyetet dhe të vendos komuniteti shumicë për të drejtat kushtetuese të komuniteteve joshumicë. Kush nuk e kupton këtë parim, është në lajthim të thellë.

Pyetje: Propozimi i kandidatit për nënkryetar i komuniteti serb nga partitë tjera a ishte veprim kushtetuese?
Hasani: Asnjëherë. E sqarova edhe më herët: zoti Nenad Rashiq, të cilin e kam mik të vjetër, nuk ka të drejtë dhe nuk mund të propozohet për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës në emër të komunitetit serb. Atë propozim mund ta bëjë vetëm grupi parlamentar i serbëve në Kuvendin e Kosovës, pas një votimi të brendshëm me shumicë të votave dhe me procedurë të rregullt, gjithmonë me shkrim.

Pyetje:: Ky propozim u bë duke iu referuar aktgjykimeve të fundit të Kushtetueses dhe procedurës së shortit. Cili është vlerësimi i juaj për këto veprime?
Hasani: Kryetari i Kuvendit të Kosovës, një Kuvend që ende është i pakonstituar, nuk ka të drejtë të interpretojë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese për qëllime të zbatimit të tyre. Ai e ka këtë të drejtë vetëm në raport me Rregulloren e Kuvendit, dhe atë vetëm pas konstituimit të tij. Siç dihet, Kuvendi konsiderohet i konstituar vetëm kur zgjidhen edhe nënkryetarët. Pra, nga aspekti juridiko-kushtetues, gjendja nuk ndryshon aspak nga situata para zgjedhjes së zotit Dimal Basha si kryetar i Kuvendit.

Pyetje:: Nga këto veprime duket së partia nuk pushtet nuk ka vullnet për konstituimin e Kuvendit. Pse mendoni se po e bën këtë zvarritje partia e Albin Kurtit?
Hasani: Arsyeja kryesore pse zoti Kurti nuk dëshiron konstituimin e institucioneve – ose më saktë, dëshiron ta bëjë atë duke ndarë fajin me opozitën – lidhet drejtpërdrejt me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit. Siç dihet, zoti Kurti ka pranuar krijimin e autonomisë politiko-territoriale serbe, e cila në kuptimin juridiko-teknik, në këto marrëveshje të vitit 2023 të aprovuara prej tij, quhet vetëmenaxhim. Ky është një term profesional i përdorur në kulturën perëndimore si emërues i përbashkët për të gjitha llojet e autonomive.

Përveç këtyre marrëveshjeve, ai ka pranuar edhe draft-Statutin e Bashkimit Evropian, i cili pritet të kalojë në Gjykatën Kushtetuese menjëherë pas formimit të qeverisë së re.

Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, së bashku me draft-Statutin evropian, përbëjnë thelbin e kushtetutës materiale të cilën e ka ndërtuar vetë zoti Kurti – dhe këtë ai e di. Në kohën kur i ka pranuar, nuk ka qenë i vetëdijshëm për përmasat e tyre, por më pas e ka kuptuar. Këto zotime, në dëm të Kosovës, do të duhet t’i zbatojë pa përjashtim qeveria e ardhshme, kushdo që të jetë në pushtet.

Prandaj, zoti Kurti, me sjellje që sabotojnë formimin e institucioneve të reja qendrore, po përpiqet të ndajë përgjegjësinë me opozitën, që faji të mos mbetet vetëm mbi të. Por kjo rezistencë ka kufij dhe një ditë do të thyhet, sepse nuk ka rrugë tjetër. Atëherë Kosova nuk do të diskutojë më nëse do të zbatohet autonomia, por vetëm për shpejtësinë e zbatimit të saj.

Shembull është rasti i Këshillit të Evropës: ne e humbëm shansin, megjithëse zbatuam vendimin për kthimin e tokave të Manastirit të Deçanit, por e bëmë shumë vonë. Njëjtë do të ndodhë edhe me marrëveshjet e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit për autonominë serbe në Kosovë. Çdo rezistencë, çdo përjashtim i serbëve nga institucionet dhe çdo mosintegrim i tyre në mënyrë diskriminuese vetëm sa përshpejton dhe legjitimon themelimin e autonomisë.

Çështja e themelimit të autonomisë serbe, sipas zotimeve që ka marrë zoti Kurti në Bruksel dhe Ohër më 2023, është arsyeja kryesore pse perëndimorët – aleatët dhe miqtë e Kosovës – nuk ndërhyjnë fare në procesin e formimit të institucioneve, siç bënin dikur. Atyre u intereson vetëm dërgimi i draft-Statutit të Bashkimit Evropian në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas zbatimi i autonomisë serbe. Për ta nuk ka rëndësi kush është në pushtet, sepse e dinë që kushdo që të vijë në qeveri do të detyrohet ta zbatojë këtë zotim ndërkombëtar të Kosovës. Këtu e ka hallin Albin Kurti – askund tjetër.

Related Posts