Bosnje: Bllokohet propozimi për ta nominuar Trumpin për Çmimin Nobel

 

 

Anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Zhelko Komshiq dhe Denis Beqiroviq, kanë refuzuar të përfshijnë në agjendën e Presidencës një iniciativë të anëtares, Zhelka Cvijanoviq për ta nominuar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqe, raporton Televizioni publik i Republikës Sërpska.

Cvijanoviq ka bërë të ditur më parë se ajo do ta nominojë Trumpin për Çmimin Nobel në Komitetin e Nobelit.

“Presidenti amerikan e meriton këtë nominim sepse, përmes angazhimit të tij diplomatik dhe autoritetit personal, ai ka arritur rezultate që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kanë kontribuuar në stabilizimin e shumë krizave në botë”, ka thënë ajo në letrën e përgatitur për propozim.

Sipas saj, “mirënjohja për përpjekjet e tij dhe arritjet në fushën e paqes” arsyetojnë vendimin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës për ta nominuar presidentin Trump për Çmimin Nobel për Paqe.

Më 31 korrik 2023, SHBA-ja e ka futur Cvijanoviqin në listën e personave të sanksionuar, për shkak të kërcënimit të Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, si dhe të integritetit dhe sovranitetit të Bosnje-Hercegovinës.

Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska i ka miratuar dy ligje anti-Dejton, që kanë të bëjnë me mosrespektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës dhe të Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt.

Të dyja ligjet janë pezulluar nga Schimdt, mirëpo autoritetet e Republikës Sërpska i kanë çuar përpara procedurat dhe kanë insistuar se nuk do t’i respektojnë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë, çka ka thelluar edhe më shumë krizën institucionale në Bosnje-Hercegovinë./

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…