Deputetja e VV’së, Donika Gërvalla, ka folur rreth mospjesëmarrjes në votim të deputetes tjetër të kësaj partie, Shqipe Selimit, në seancën kur emri i saj u hodh në votim për Kryeparlamentare.
Gërvalla tha se nuk ka pasur debat në grupin e VV’së rreth kandidimit të saj, teksa vendimin e saj për të mos e votuar e quajti personal dhe tha se s’ka të drejtë ta komentoj, shkruan Reporteri.net.
“Ne kemi pasur një diskutim në grup. Nuk ka pasur debat rreth kandidimit tim.Znj.Selimi merr vendimet e saja, ajo nuk ka marrë pjesë në votim.Ai është vendim personal i znj.Selimi dhe nuk kam asnjë arsye dhe të drejtë ta komentojë”, deklaroi Gërvalla.
Shqipe Selimi e ka konfirmuar se ajo nuk ka votuar për propozimin që Donika Gërvalla të bëhet kryeparlamentare për shkak të postimeve të kësaj të fundit ndaj bashkëshortit të saj, të cilin e quante figurë e botës së krimit
“Në përgjigje të interesimit të madh të mediave dhe opinionit publik lidhur me arsyen se pse nuk mora pjesë në votim gjatë seancës së sotme, dëshiroj të sqaroj se mospjesëmarrja ime nuk lidhet me motive partiake. Ajo ka të bëjë me një postim të datës 7 shkurt dhe 25 mars 2020, të cilin po e bashkëngjis në këtë shkrim. Këtë shpjegim po e bëjë për hir të transparencës dhe respektit ndaj opinionit, mediave dhe në veçanti, përkrahësve e votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje. I falënderoj për mirëkuptimin kolegët, aktivistët dhe votuesit e Lëvizjes.”, ka sqaruar Selimi.
Gërvalla foli edhe rreth propozimit të sotëm për Kryetar Kuvendi, ku vetë ajo e propozoi Hekuran Muratin, të cilin e quajti si “kandidat të jashtëzakonshëm”.
“Ne e propozojmë atë kandidat që mendojmë se e drejton këtë institucion më së miri. Nuk jemi në një katallog ku opozita hyn e zgjedh ky po më pëlqen e ky s’po më pëlqen”.\