Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Bashkimi Evropian i ka inkurajuar të mërkurën partitë politike në Kosovë ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të konstituojnë shpejt Kuvendit, pak orë pas dështimit më të fundit të deputetëve për ta zhbllokuar ngërçin.

Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë për REL se blloku “po i ndjek me kujdes zhvillimet që lidhen me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë”.

Deputetët u mblodhën të mërkurën paradite për vazhdimin e seancës konstituive, pasi dy ditë më parë gjykata më e lartë e vendit e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me këtë çështje, i cili i detyron ata ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati prej 30 ditëve, i cili skadon më 18 shtator.

Megjithatë, konstituimi dështoi pasi asnjëra prej dy kandidateve të propozuara nga partia fituese e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje – Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla – nuk arritën t’i marrin më shumë se 57 vota, që është 4 vota më pak se të paktën 61 votat e kërkuara për t’u zgjedhur.

Zyra e BE-së theksoi se “formimi i shpejtë i Kuvendit dhe i Qeverisë është thelbësor për Kosovën që të ecë përpara me reformat e rëndësishme në të gjitha sektorët, të cilat do të përmirësojnë cilësinë e jetës dhe standardin e jetesës së qytetarëve të Kosovës”.

Ndërkohë, Ambasada e Italisë në Prishtinë, e pa si diçka inkurajuese faktin që Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, propozoi një kandidat të ri për kryeparlamentar, pasi në të kaluarën kishte propozuar vetëm Haxhiun.

Ambasada italiane tha se propozimi i Gërvallës “tregon gatishmëri për të bërë përparim, i cili do të duhet të konfirmohet në ditët në vijim”.

“Shpresojmë që të gjithë aktorët politikë të punojnë me përgjegjësi për të siguruar konstituimin e Kuvendit me kohë, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.

Pas seancës, Vetëvendosje i akuzoi partitë e tjera të mëdha në Kuvend, si PDK, LDK dhe AAK, se me këtë dëshmuan se emri i Haxhiut nuk ishte problemi kryesor, por se ato “po synojnë bllokimin e formimit të institucioneve”.

PDK-ja përsëriti qëndrimin se ka votë vetëm për një kandidat të Vetëvendosjes, i cili nuk ka qenë pjesë e Qeverisë në mandatin paraprak.

LDK-ja tha Vetëvendosje e ka ditur që Haxhiu dhe Gërvalla nuk kanë vota të mjaftueshme. Në të kaluarën, LDK ka thënë vazhdimisht se nuk e voton asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

Ndërkaq, AAK-ja tha se pret që edhe në seancën e radhës Vetëvendosje të propozojë emra për të cilët nuk ka mbështetje.

Nisma Socialdemokrate tha se do të abstenojë dhe nuk do të japë votë për pa u arritur një marrëveshje politike.

Vazhdimi i seancës u caktua për të premten, më 22 gusht.

Kosova mbajti zgjedhje parlamentare në shkurt, por nuk ka qenë në gjendje t’i themelojë institucionet e reja prej atëherë.

E gjithë kjo krizë disamujore vjen si pasojë e mungesës së një marrëveshje politike mes partive parlamentare, pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.

Vetëvendosje i fitoi 48 ulëse, PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Related Posts

  •     Protesta e 7 gushtit në Prishtinë, ku u kërkua lirimi i ish-krerëve të UÇK-së, do të vazhdojë më 14 shtator në Hagë. Protesta do të mbahet me fillim nga ora 14:00. Në njoftim thuhet se protesta organizohet nga mërgata shqiptare dhe mbështetet nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së. “Më 14 shtator

  •     Gjykatësi i njohur amerikan, Frank Caprio, është ndarë nga jeta në mënyrë paqësore në moshën 88-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin e pankreasit. I njohur për humanizmin, përulësinë dhe besimin e tij të palëkundur në mirësinë e njeriut, Gjykatësi Caprio u bë një figurë e dashur jo vetëm në SHBA, por

  •     Policia e Kosovës ka arrestuar një zyrtar të Komunës së Pejës, pasi i njëjti u filmua duke konsumuar lëndë që dyshohet të jenë narkotike dhe me një armë në tavolinë. I dyshuari është Luan Gashi, udhëheqës i Sektorit për Çështje Pronësie në Komunën e Pejës. Arrestimin e zyrtarit e ka konfirmuar Shkodran Nikçi, zëdhënës

  •     Ngritja e çmimeve të shumë produkteve është shqetësim për qytetarët. Edhe evidencat e Agjencisë së Statistikave, krahasuar me periudhën e njëjtë kohore, pasqyrojnë rritje të çmimeve në shumë produkte bazë për jetesë. Ndërkohë, njohës të ekonomisë vënë në pah se për standardin e jetesës në Kosovë, çmimet aktualisht janë të larta, duke paralajmëruar