ShBA sanksionon gjyqtarin që konfirmoi aktakuzën e Hagës kundër ish-krerëve të UÇK-së

 

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sanksionuar gjyqtarin francez Nicolas Yann Guillou, i cili ishte gjyqtar i procedurës paraprake në rastin e ish-Presidentit Hashim Thaçi, e që aktualisht shërben në Divizionin e Gjykimeve në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC).

Sipas Departamentit të Shtetit, Guillou ka marrë vendim për të autorizuar lëshimin e urdhrave të arrestit ndërkombëtar ndaj Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant – veprim për të cilin ai tani është shpallur nën sanksione. Përveç tij, janë sanksionuar edhe Kimberly Prost, Nazhat Shameem Khan dhe Mame Mandiaye Niang.

Sipas vendimit, çdo pasuri e Guillou dhe të tjerëve që ndodhet në SHBA ose kontrollohet nga persona amerikanë është bllokuar. Ndalohet edhe çdo transaksion financiar apo marrëdhënie tregtare me ta.

“Si rezultat i veprimeve të sotme në lidhje me sanksionet, të gjitha pronat dhe interesat në pronë të personave të sanksionuar të përshkruar më sipër, që ndodhen në Shtetet e Bashkuara ose që janë në posedim apo kontroll të personave amerikanë, janë të bllokuara dhe duhet të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) pranë Departamentit të Thesarit të SHBA”, thuhet në njoftimin e DASH.

Departamenti i Shtetit theksoi se ky vendim është pjesë e përpjekjes për të “imponuar pasoja të prekshme ndaj zyrtarëve të ICC-së që ndërmarrin veprime të paligjshme kundër aleatëve të SHBA-së”.

Guillou e kishte konfirmuar  aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. I njëjti, dha urdhër edhe për arrestimin e katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • Shkrime të ngjashme

    Kurti, Hamza e Abdixhiku dalin me vota minus nga rinumërimi – një kandidat i VV’së 228 vota më pak

    Në 15 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave, që erdhi pas mospërputhjeve gjatë verifikimit të votave të kandidatëve për deputetë. Sipas KQZ’së, nga rinumërimi dikush ka dalë mbi 220 vota më pak. Sipas rezultateve nga 227 vendvotimet e…

    “Pezullim i përkohshëm”, ambasada amerikane flet pas vendimit për vizat imigruese

    Departamenti amerikan i Shtetit të mërkurën dha lajmin se ka marrë vendim për pezullimin e përpunimit të vizave të imigrantëve për qytetarët e 75 vendeve, përfshirë edhe Kosovën. Ambasada amerikane ka dhënë shpjegime. Pas publikimit nga presidenti amerikan, Donald Trump,…