Horror në Meksikë, gjenden 6 koka njerëzish në rrugë me një shënim

 

 

Autoritetet meksikane kanë nisur hetimet pas një zbulimi tronditës në një rrugë që lidh shtetet qendrore të Tlaxcala dhe Puebla, ku u gjetën 6 koka njerëzish. Shoferët që po udhëtonin në aksin rrugor njoftuan policinë pasi zbuluan mbetjet njerëzore, të cilat më pas u konfirmuan nga zyra e prokurorit të Tlaxcalas.

Sipas autoriteteve, kokat i përkasin gjashtë burrave. Në vendin e ngjarjes u gjet edhe një shënim që sugjeron se bëhet fjalë për një larje hesapesh mes bandave rivale të përfshira në aktivitetin kriminal të vjedhjes së gazit natyror, një fenomen në rritje në disa rajone të Meksikës.

Ndërkohë, në një incident të veçantë në qytetin perëndimor të Colimës, është zbuluar një kafkë njeriu së bashku me mbetje të tjera trupore. Hetimet po vijojnë për të përcaktuar nëse ky rast ka ndonjë lidhje me dhunën që po përshkallëzohet në zonat e tjera të vendit.

Ndërsa Puebla dhe Tlaxcala nuk janë zakonisht të njohura për nivele të larta dhune si shtetet veriore dhe ato bregdetare të Paqësorit, përfshirja e tyre në incidente të tilla të dhunshme tregon një përhapje të rrezikshme të aktiviteteve kriminale.

Vetëm disa javë më parë, më 30 qershor, në shtetin e Sinaloas u gjetën 20 trupa të pajetë në një rrugë, përfshirë pesë të dekapituar.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…