Takimi me MASHTI-n, SBASHK-u paralajmëron masa në rast dështimi

 

 

Më 20 gusht skadon afati që Sindikata e Bashkuar e Arsimit i ka vendosur Ministrisë së Arsimit për të nisur dialogun rreth kërkesave të punëtorëve të arsimit. Sindikalistët paralajmërojnë masa të reja, madje edhe grevë, nëse takimet nuk fillojnë. Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, thotë se negociatat do të zhvillohen vetëm mbi baza ligjore dhe jo nën presione.

SBASHK-u ka vendosur 20 gushtin si datën e fundit për nisjen e dialogut me Ministrinë e Arsimit. Nëse kjo nuk ndodh, Këshilli Drejtues i sindikatës do të mblidhet për të vendosur për hapat e mëtejshëm, duke mos përjashtuar as grevën.

“SBASHK-u ka mbajtur një kongres të jashtëzakonshëm dhe është marrë vendim që nëse deri më 20 gusht nuk fillon dialogu me Ministrinë e Arsimit, atëherë Këshilli Drejtues do të vendos për veprimet e mëtutjeshme, duke mos përjashtuar as grevën”, tha Vjollca Shala, nënkryetare e SBASHK-ut.

Sipas saj, kërkesat kryesore përfshijnë nënshkrimin e kontratës së re kolektive, ngritjen e vlerës së koeficientit në Ligjin e Pagave, si dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës.

Nga ana tjetër, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, thotë se SBASHK-u po përsërit të njëjtin skenar para çdo fillimi të vitit shkollor dhe se kontratat kolektive të së kaluarës janë nënshkruar në kushte të parregullta.

“Kjo nuk është asgjë e re, ne jemi mësuar për vite tashmë për çdo shtator e veças për rastet kur kemi Qeveri në detyrë ose në kohën e zgjedhjeve, SBASHK-u gjegjësisht kryesia e SBASHK-ut, janë tepër të zëshëm me deklaratat të tilla. Ndërkohë ne e dimë që tri kontratat të fundit kolektive, janë nënshkruar në kohë fushatash apo në kohë të Qeverisë në detyrë e për të cilat nuk janë përfillur as procedurat ligjore e asnuk është bërë regjistrimi I tyre të cilat tashme po krijojnë probleme të shumta në komuna. Ne kemi pasur takime me SBASHK-un do të takohemi përsëri nëse është nevoja, gjithsesi vendimet dhe veprimet tona do të jenë të bazuara në rend dhe ligj e jo në shantazhe e në presione më shumë politike sesa përmbajtjesore.”

Ministrja Nagavci mohon se ka shmangur takimet me sindikatën, por thekson se çdo negociatë duhet të jetë ligjërisht e qëndrueshme. Me vitin e ri shkollor që fillon së shpejti, dilema mbetet nëse nxënësit do të kthehen normalisht në bankat e tyre apo do të përballen me një tjetër grevë në arsim.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…