Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Më 8 gusht, Kushtetuesja ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë, raporton Periskopi.

Me publikimin e aktgjykimit të plotë, nis edhe rrjedhja e afatit 30-ditor, që nënkupton se deputetët nga sot mund të mblidhen për të konstituuar Kuvendin.

“Gjykata konstatoi që kryesuesi i seancës konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjidhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 herë për kandidatin/en e njëjtë”, u tha në aktgjykim.

Gjykata Kushtuese e Kosovës ka publikuar të hënën aktgjykimin e plotë lidhur me bllokadën në Kuvend.

Aktgjykimi i publikuar është ndaj kërkesave të bëra nga PDK-ja dhe LDK-ja.

Në vendimin e publikuar më 8 gusht Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve. Në njoftimin e publikuar të premten thuhet se Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në 3 herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.

Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

Po ashtu sipas njoftimit, Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me  Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata ka urdhëruar kryesuesin që nga seanca e radhës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës – procedimi i votimit të kryeparlamentarit.

Masa e përkohshme ishte mbajtur në fuqi deri në publikimin e aktgjykimit  dhe publikimit në Gazetën Zyrtare, që u bë sot. 

Lidhur me këtë aktgjykim kanë reaguar edhe nga PDK e LDK.

PDK: Sa më shpejt të thirret seanca e radhës

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, tha se “ky është një vendim i prerë dhe i detyrueshëm dhe nuk ka më hapësirë për vonesa e as për interpretime”.

“I bëj thirrje Kryesuesit që ta thërrasë sa më shpejt seancën e radhës, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për zvarritje. Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin”, tha Krasniqi.

Ndërsa Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ky aktgjykim është fitore e madhe, jo vetëm e LDK-së, por e Republikës së Kosovës dhe e çdo qytetari që kërkon institucione funksionale, transparente dhe të ndershme.

“Mosrespektimi i këtij vendimi nuk është opsion. Nuk do ta lejojmë asnjë përbuzje të shtetit dhe Republikës. Në këtë vend, mbi Kushtetutë nuk ngrihet askush”, tha ai në një postim në Facebook.

Edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se përmes këtij vendimi, Gjykata ka sqaruar kufijtë kushtetues të seancës konstituive dhe ka konstatuar se veprimet e ndërmarra dhe seancat e mbajtura pas 26 qershorit ishin në kundërshtim me aktgjykimin e mëparshëm KO124/25. Po ashtu, sipas KDI-së, është konstatuar se Kryesuesi i seancës, në ushtrimin e kompetencave të tij, ka tejkaluar mandatin kushtetues, duke ndryshuar rendin e ditës dhe shtyrë përpara veprime që bien ndesh me detyrimet e përcaktuara qartë nga Gjykata.

“KDI i bën thirrje Kryesuesit të seancës konstituive, z. Avni Dehari, që të thërrasë sa më parë vazhdimin e seancës konstituive dhe të përmbushë detyrimet që rrjedhin prej aktgjykimit, duke ftuar grupin më të madh parlamentar që të propozojë kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit, si dhe të procedojë me votimin e hapur. Kjo përbën një detyrim të qartë, që nuk lë vend për interpretime politike apo zvarritje të mëtutjeshme procedurale. Gjithashtu, u bëjmë thirrje subjekteve parlamentare dhe të gjithë deputetëve që të veprojnë në përputhje me mandatin e tyre dhe me përgjegjësinë e tyre kushtetuese për të siguruar funksionalitetin e Kuvendit, si një institucion thelbësor i rendit demokratik në vend”, thuhet në komunikatë.

Related Posts