Categories: Lajme, Maqedoni

by kfvanews

Share

Categories: Lajme, Maqedoni

by kfvanews

Share

 

Ndërsa qytetet e mëdha krijojnë kushte bashkëkohore për njerëzit e tyre, Çairi duket se ka kaluar dy dekada duke ndërtuar për xhepat e një grupi të vogël. Jo rrugë, jo shkolla, jo parqe—por një ekspozitë të gjallë të kaosit urban, ku betoni i paligjshëm dhe ryshfeti janë bërë simbol i “suksesit” të qeverisjes së Izet Mexhitit.

Zyrtarisht, fushata zgjedhore nuk ka nisur. Jozyrtarisht, kampi i Mexhitit ka ndezur motorët e baltës shumë më herët. Një ofensivë e errët, e përgatitur në kuzhinat me buxhet nga paratë e ryshfetit, që synon të imponojë vullnetin e një klike mbi qytetarët e lirë të Çairit—atyre që për 22 vite janë përballur me një jetë të vështirësuar deri në ekstrem.

Dhe kur e vërteta fillon të dalë në shesh, kur froni i tyre fillon të dridhet, reagimi është i parashikueshëm: video diskredituese pa prova, insinuata të ulëta dhe një nervozizëm që nuk fshihet më. Në shënjestër është Bujar Osmani—kandidati që, për çudi, nuk ka zgjedhur të ulet në nivelin e izetistëve. Ai flet për ide. Për projekte të denja për ardhmërinë e një komune të rrjepur. Pa fyerje, pa akuza, pa baltë. Vetëm vizion. Në një vend ku politika shpesh ngjan me një ndeshje boksi pa rregulla, Osmani po luan shah.

Faktet flasin vetë. Pas dy dekadash nën drejtimin e Mexhitit, Çairi ngjan me një kantier ndërtimi pa plan. Një fshat kaotik me ndërtesa pa leje, rrugë që ngushtohen dita-ditës, hapësira publike që zhduken si me magji. Akuza për ndërtime pa leje, banesa pa pronësi, dhe një komunë e kthyer në panair ndërtimesh të paligjshme. Një menaxhim klasik i mafias urbane, ku Çairi nuk u ndërtua për qytetarët, por për klientelën. Rrugët nuk të çojnë askund—përveçse drejt zhgënjimit.

Lao Tzu pat thënë: “Udhëheqësi më i mirë është ai që njerëzit mezi e ndiejnë. Kur puna e tij përfundon, ata thonë: e bëmë vetë.” Në Çair, njerëzit e dinë shumë mirë kush ka qenë në krye. Dhe nuk po thonë “e bëmë vetë”—po pyesin: “Si arriti një njeri kaq i vogël të kthejë një komunë të tërë në një dështim kaq të madh?”

Kampi i Mexhitit duhet ta kujtojë thënien e Abraham Lincoln: “Mund t’i mashtrosh të gjithë njerëzit për pak kohë, disa njerëz gjatë gjithë kohës, por nuk mund t’i mashtrosh të gjithë gjatë gjithë kohës.” Qytetarët e Çairit po zgjohen. Nuk e blejnë më fushatën e baltës. Po kërkojnë përgjigje: Në xhepin e kujt shkuan paratë e parqeve që u shitën për ndërtesa? Pse nuk ka rrugë të reja? Pse mungojnë fushat dhe sallat sportive? Kush i miratoi ato ndërtesa që duken si karikatura arkitekturore? Kush lejoi ndërtimet pa parkingje? Dhe shumë pse të tjera.

Ndërsa zgjedhjet lokale afrohen, Çairi ndodhet në një udhëkryq. Në njërën anë, një vizion për rilindje dhe dinjitet. Në tjetrën, një trashëgimi kaosi të paligjshëm dhe një fushatë që pasqyron nervozizmin e politikanëve që populli shumë shpejt do t’i flakë nga skena.

Zgjedhja është në duart e qytetarëve. Por e vërteta tashmë po flet më fort se çdo video e montuar.

 

Analizë për Kosova Free Voice Agency- KFVA, nën autorësinë e ekspertit të politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare nga Maqedonia e Veriut, G.A.

Related Posts