by kfvanews

Share

by kfvanews

Share

 

 

Brenda dy ditësh, në Kosovë kanë ndodhur pesë vrasje. Në mesin e të dyshuarve ka edhe recidivistë, apo persona me të kaluar kriminale.

Kjo situatë, nga zyrtarët e lartë të institucioneve të Kosovës po cilësohet si alarmante dhe ata thonë se sistemi i drejtësisë nuk po i trajton me seriozitetin dhe vendosmërinë e duhur këto raste të rënda. Ekspertët mendojnë se kjo situatë nxjerr në pah mangësitë e thella të sistemit të drejtësisë në vend, veçanërisht në trajtimin e recidivistëve.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, njëherësh profesor universitar, Fejzullah Hasani, thotë për Radion Evropa e Lirë se në sistemin prokurorial shpesh ndodhin paradokse të tilla: persona me raste të shumta penale dhe me statusin e recidivistit, lirohen në procedurë të rregullt pas intervistimit, pa u propozuar që ndaj tyre të vendoset masa e paraburgimit.

Ndërkaq, për vepra të zakonshme, prokurorët shpesh propozojnë paraburgim për persona që nuk kanë qenë kurrë të regjistruar në evidencat penale, dhe gjykatat i miratojnë këto propozime pa shumë vështirësi.

“Moskërkimi i paraburgimit nga ana e prokurorit ndaj kryesve me evidenca të gjata penale [nëse vërtet është kështu] nuk është legjitime dhe kërkon llogaridhënie”, thekson Hasani.

Ai shton se gjykatat nuk duhet të ndikohen nga faktorë të jashtëm në caktimin e dënimeve, por për fat të keq, sipas tij, shpesh nuk e kuptojnë recidivizmin si rrethanë rënduese për ashpërsimin e dënimit.

“Nëse prokurori për tri-katër herë me radhë merret me kryes të tillë dhe nuk propozon paraburgim, e lë të lirë, ndërkohë që gjykata shqipton dënime të lehta, kryesisht me kusht apo gjobë, kjo i trimëron ata për ta vazhduar veprimtarinë kriminale. Jo rrallë, janë regjistruar vepra të tmerrshme nga këta persona, ndaj të cilëve sistemi ka qenë ‘tolerant’”, shprehet Hasani.

Ai kërkon që sistemi i drejtësisë të ndryshojë qasjen ndaj recidivistëve, duke shtuar se edhe Gjykata e Apelit duhet t’i ashpërsojë dënimet kur gjykata e shkallës së parë nuk i jep rëndësi të kaluarës kriminale të të dënuarit.

Më 10 gusht në Gjilan u vranë tre persona. Po të njëjtën ditë, një person u ther për vdekje në Prizren. Tre të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gjilan janë në arrati, ndërkaq i dyshuari për vrasjen në Prizren është arrestuar.

Për rastin e Gjilanit, autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje mbi motivet, ndërkaq vrasja në Prizren u krye pasi, sipas Prokurorisë, dorasi i dyshuar dhe viktima kishin pasur një mosmarrëveshje paraprake dhe para ngjarjes ishin fjalosur.

Gjykata Themelore në Gjilan njoftoi se ndaj njërit prej personave të dyshuar për vrasje në Gjilan nuk ka lëndë aktive, por në të kaluarën ai i ka pasur tri lëndë penale për mbajtje në pronësi ose posedim të armëve, vjedhje të shërbimeve komunale dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Ndërkohë, Policia e Kosovës konfirmoi se më 11 gusht ndodhi edhe një vrasje tjetër në Prishtinë. I dyshuari për këtë rast është identifikuar dhe i njëjti ndodhet në arrati.

Policia e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se sa është numri i personave që janë të evidentuar se kanë të kaluar kriminale dhe janë përsëritës të incidenteve të rënda.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Prokuroria dhe Këshillat Gjyqësor e Prokurorial statistika për numrin e personave me precedent penal që lirohen në pritje të gjykimit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Për numrin e personave aktualisht në paraburgim nuk është përgjigjur as Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Recidivistët “nuk trajtohen siç duhet” nga sistemi i drejtësisë
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thekson se secili rast është individual dhe masat e sigurisë caktohen në bazë të rrethanave.

Megjithatë, nga monitorimi i rasteve del se shumë prej tyre trajtohen në mënyrë të barabartë me vepra më pak serioze, duke i lënë personat të lirë gjatë procedurave gjyqësore të gjata dhe duke u dhënë mundësi për përsëritjen e veprave penale.

IKD vëren, gjithashtu, mungesën e masave disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk veprojnë me përgjegjësi në këto raste, përkundrazi, sipas këtij instituti, shpesh ata promovohen në pozita më të larta.

“Kjo mungesë llogaridhënieje bën që qytetarët ta paguajnë me jetë dështimin e sistemit”, theksojnë nga IKD.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli, thotë se ngjarjet e fundit të vrasjeve në Kosovë, e në veçanti ajo në Gjilan, evidentojnë mangësitë serioze brenda sistemit të drejtësisë në vend.

Ai konsideron se rastet e shumta të individëve me histori kriminale – të arrestuar për veprime si fajde, kërcënime apo krime të tjera të rënda – të cilët lirohen pas periudhave të shkurtra paraburgimi dhe përfshihen sërish në incidente të ngjashme, tregojnë nevojën për identifikimin e dështimeve institucionale të drejtësisë, duke shmangur trajtimin e këtyre rasteve si të rastësishme.

“Duhet të theksohet se lirimi i personave me precedentë penalë nuk është gjithmonë rezultat i rrethanave aksidentale. Deri më tani, nuk ka pasur një hetim publik të thelluar nga institucionet kompetente të drejtësisë lidhur me faktorët që çojnë në këto dështime. Mirëpo, mungesa e reagimit institucional për të kërkuar llogaridhënie penale dhe disiplinore – veçanërisht kur ekzistojnë indikacione të forta për ndikim korruptiv – është shqetësuese”, thotë Vrajolli.

Vrajolli thekson se institucionet e drejtësisë kanë treguar mungesë të vazhdueshme të llogaridhënies për raste të ndryshme sensitive. Sipas tij, është imperative që kjo qasje të ndryshojë sa më parë.

Ai thotë se suspendimi i menjëhershëm, hetimi penal dhe disiplinor, si dhe masat parandaluese, janë ndër veprimet minimale që duhet të ndërmerren sa herë që incidente të tilla ndodhin për shkak të neglizhencës së organeve të drejtësisë.

“Përveç përgjegjësisë individuale, është e domosdoshme instalimi i mekanizmave të llogaridhënies hierarkike në këtë sektor. Institucionet nuk duhet të justifikohen me parimin e pavarësisë institucionale; zinxhiri që ka mundësuar neglizhencën sistemike duhet të bëhet transparent dhe të hetohet pa vonesë”.

Avokati Yll Zekaj thotë se shumica e personave që kryejnë vepra penale, përfshirë edhe ato me pasoja fatale, kanë kaluar më parë nëpër hallkat e sistemit të drejtësisë, por nuk janë trajtuar si duhet.

Sipas tij, politika ndëshkimore nuk është zbatuar në mënyrë efektive.

“Në shumicën e rasteve, sistemi i drejtësisë ka dështuar që t’i trajtojë si duhet këto raste, qoftë përmes hetimeve të policisë dhe prokurorisë, apo përmes vendosjes së masave ndëshkuese nga gjykatat. Për më tepër, edhe kur këta persona kanë të kaluar kriminale, nuk trajtohen me seriozitetin që meriton situata”, thotë Zekaj.

Sipas avokatit Zekaj, toleranca ndaj këtyre autorëve dhe mungesa e masave ndëshkuese efektive po krijojnë hapësirë që ata të rikthehen në krim, shpesh duke kryer vepra me pasoja fatale.

“Në kryerjen e veprave paraprake kanë munguar dënimet adekuate. Ata nuk kanë arritur të risocializohen, e që dënimi është një nga qëllimet kryesore të tij. Kjo bën që tani të kemi raste me vepra shumë më të rënda, përfshirë ato që përfundojnë me fatalitet”, shpjegon Zekaj.

Në nëntor 2024, u lansua Udhëzuesi i Përgjithshëm për Matjen e Dënimit, një dokument i përpiluar nga Gjykata Supreme dhe Komisioni Këshillëdhënës për Politikë Ndëshkimore, me mbështetjen e Departamentit amerikan të Drejtësisë dhe Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Edhe pse ky udhëzues nuk ka karakter detyrues ligjor, ai synon t’i ndihmojë gjykatat në vendimmarrje të drejtë, të qëndrueshme dhe të harmonizuar, duke shmangur dallimet e paarsyetuara dhe divergjencat në politikën ndëshkimore.

Vrasjet e fundit kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik lidhur me sigurinë publike. Por, ka pasur edhe reagime nga zyrtarët shtetërorë të cilët janë zotuar për veprime.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se “askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm, veçanërisht brenda institucioneve që kanë mandat për parandalimin dhe hetimin e veprimtarive ilegale”.

Ai kërkoi vendosmëri të veprimeve, veçanërisht nga sistemi i drejtësisë.

Ndërkaq, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cilësoi situatën si dëshmi të pasojave të neglizhencës institucionale dhe shtoi:

“Nuk mund të flasim për shtet të së drejtës, derisa kriminelët ecin të lirë, ndërsa viktimat jetojnë në frikë dhe pasiguri”

Related Posts