Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Ministria e Drejtësisë ka dalë me reagim ndaj Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Prokurorisë Speciale duke kërkuar “menjëherë procedura disiplinore” për gjyqtarët dhe prokurorët që kanë miratuar ndërrimin e masës së sigurisë së paraburgimit me masë të dorëzanisë në qershor – tetor të vitit të kaluar për Mefail dhe Edon Shkodrën – dy nga autorët e dyshuar të vrasjes së trefisht dje në Gjilan.

“Ky vendim është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm, sidomos duke pasur parasysh që të dy të dyshuarit ishin subjekt i hetimeve për vepra të rënda penale si fajdeja dhe detyrimi. Lirimi i tyre përbën një neglizhencë të rëndë institucionale dhe ka prodhuar pasoja tragjike e të pariparueshme”, u tha në komunikatë të MD-së.

Komunikata e plotë:

Reagim i Ministrisë së Drejtësisë lidhur me rastin tragjik në Gjilan

Ministria e Drejtësisë është thellësisht e shqetësuar dhe e tronditur nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Gjilan, ku humbën jetën tre qytetarë. Mefail dhe Edonis Shkodra, të dyshuar për këtë vrasje të trefishtë dhe aktualisht në arrati, kishin qenë më parë në paraburgim dhe ishin liruar me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Ky vendim është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm, sidomos duke pasur parasysh që të dy të dyshuarit ishin subjekt i hetimeve për vepra të rënda penale si fajdeja dhe detyrimi. Lirimi i tyre përbën një neglizhencë të rëndë institucionale dhe ka prodhuar pasoja tragjike e të pariparueshme.

Ministria e Drejtësisë i bën thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij Gjyqësor, që të nisin menjëherë procedurat disiplinore ndaj të gjithë prokurorëve e gjyqtarëve që kanë qenë të përfshirë. Përgjegjësia ligjore, institucionale dhe morale duhet të jetë e plotë dhe e pakompromis.

Gjithashtu, Ministria u bën thirrje të gjitha forcave politike që të ndalin pengesat e vazhdueshme ndaj reformave në sistemin e drejtësisë. Reforma në drejtësi nuk është luks dhe as çështje e interesit të ngushtë politik por është një domosdoshmëri për të garantuar sigurinë, drejtësinë dhe të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Drejtësia nuk është pronë e askujt. Ajo duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit ligjor. Kjo ngjarje tragjike duhet të shërbejë si alarm për të gjithë, pa një drejtësi funksionale, nuk mund të ketë siguri, drejtësi apo paqe sociale.

Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për të çuar përpara reformat e nevojshme dhe për të ndërtuar një sistem drejtësie të drejtë, të pavarur dhe të përgjegjshëm ndaj qytetarëve.

Related Posts